Greqia zgjeron hapësirën detare! Projekti rrezikon rikthimin e tensioneve me fqinjët

Qeveria greke ka gati planin për shfrytëzimin e hapësirave detare përgjatë brigjeve të saj, pjesë e të cilit është edhe zgjerimi i hapësirës detare nga 6 deri në 12 milje larg këtyre brigjeve.
Zyrtarët e ministrisë së Jashtme dhe asaj për mjedisin dhe energjinë bënë publike për mediat këtë hartë që tregon ndarjen në 4 njësi të hapësirave ku Greqia ka interes për zhvillimin në të ardhmen të aktiviteteve të ndryshme detare, duke nisur që nga kërkimi i gazit e naftës, peshikimi, zhvillimi i turizmit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore nënujore e të tjerë.
Mediat vendase shkruajnë se kjo është hera e parë që Athina zyrtare publikon një hartë, që përcakton qartë interesat e Greqisë për shfrytëzimin e të ashtuquajturave “Zona Ekskluzive Ekonomike” në ujërat detarë të Jonit, Egjeut dhe më tej në Mesdheun Lindor.
Këto ambicje të Greqisë, megjithatë kanë rënë ndesh me planet për shfrytëzimin e hapësirave detare edhe me vendet fqinjë, veçanërisht me Turqinë, me të cilën ka mosmarrëveshje për ndarjen territoriale detare në Egje dhe Mesdheun Lindor. Pas qeverisë greke, mediat turke publikuan projektin e qeverisë për shfrytëzimin e hapësirave detare të Turqisë ku ka mbivendosje me projektin e Athinës.
Mosmarrëveshje të tilla për pak sa nuk shkaktuan një konflikt ushtarak të paprecedentë mes dy vendeve anëtare të NATO-s në vitin 2020, kur turqit dërguan në 2020-ën anijen sondë Oruç Reis për kërkimin e naftës dhe gazit në ujërat e mesdheut lindor, në një zonë që pretendohet edhe nga Greqia.
#Greqia #zgjeron #hapësirën #detare #Projekti #rrezikon #rikthimin #tensioneve #fqinjët
Java News