Agjencia e Sigurimit të Depozitave: Kursimet në bankat e nivelit të dytë u rritën me 5.6% në 2024

Numri i llogarive bankare ka arritur në fund të vitit 2024 në 2.7 milionë të tilla të hapura pranë bankave të nivelit të dytë dhe gati 950 mijë prej tyre kanë gjendje deri në 100 lekë.
Në raportin e depozituar në Kuvend nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave thuhet se kursimet në total gjatë vitit të kaluar u rritën me 5.6% në raport me vitin 2023, dhe vlera e depozitave nëpër banka arriti në 1 trilionë e 275 miliardë lekë.
Sipas këtij raporti, vetëm 5% e totalit të qytetarëve që kanë llogari në bankë disponojnë 739 miliardë lekë kursime, ose 58% e totalit të depozitave.
Ndërkohë, vetëm 125 mijë individë kanë në llogaritë e tyre mbi 2.5 milionë lekë. Ndërsa pjesa tjetër prej 1.7 milionë llogarish kanë deri në 2.5 milionë lekë kursime.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave sqaron se rritja e kursimeve vit pas viti u regjistrua më së shumti në monedhën kombëtare me 7.3%, ndërsa depozitat në monedhë të huaj u rritën me 3.9%.
Në dhjetor 2024, depozitat në monedhë të huaj të shprehura në kundërvlerën në lekë kishin peshën 51.4%. Rritja më e madhe mujore në monedhën euro u shënua në muajin gusht me 2.2%, ndërsa të shprehura në kundërvlerën në lekë u rritën me 1.6%.
Aktualisht, në sektorin bankar, 48.6% e kursimeve janë në lekë, 45.8% janë në euro, 3.7% në dollar dhe 1.9% janë në monedha të tjera.
Gjatë vitit 2024, Agjencia e Sigurimit të Depozitave ka siguruar depozitat e vendosura nga depozituesit në 11 banka dhe 9 shoqëri kursim-krediti.
#Agjencia #Sigurimit #të #Depozitave #Kursimet #në #bankat #nivelit #të #dytë #rritën #në
JavaNews