Aktualitet

Një vështrim i shkurtër i arsimit të lartë në Shqipëri

Nga Prof. Aleko Miho, Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. e-mail: aleko.miho@fshn.edu.al

 

Arsimi, veçanërisht arsimi i lartë (AL), është djepi i dijes së një vendi, faktor kyç për ekonominë, mirëqenien e tij. Nga ana tjetër, përpjekjet për fuqizimin e dijes janë përpjekje edhe për fuqizimin, shëndoshjen e demokracisë dhe zhvillimin e saj të qëndrueshëm. Këto dy slogane të përdoruara rëndom në botën e qytetëruar, unë po i risjell në vemendje të mjedisit shqiptar, të politikës dhe vendimmarrjes shqiptare, mbështetur në një vështrim të kritik të arsimit të lartë në Shqipëri.

 

Shkurt mbi sistemin

Sipas ASCAL (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë; https://www.ascal.al/) sistemi aktual në Shqipëri ka 17 institucione publike dhe 53 private që merren me arsimin e lartë (pra rreth 60 IAL: universitete, akademi, kolegje, etj.). Kujtoj se vendi nga sistemi i mëparshëm trashëgoi vetëm 3 Universitete (Universitetin e Tiranës, UT; Universitetin Politeknik, UPT; dhe Universitetin Bujqësor, UBT) dhe disa institute – të gjitha publike (5).

Bindja ime ka qenë dhe mbetet se arsimi i lartë publik lejon shumë më tepër liri akademike që një mision i tillë të kryhet më mirë. Për Shqipërinë, arsimi i lartë publik ka qenë dhe mbetet edhe sot një e mirë për pjesën më të madhe të shoqërisë, për gjithë shtresat e saj, pavarësisht nga gjendja ekonomike. Vite më parë, me rastin e protestës së personelit akademik unë kam shkruar dhe shpërndarë në shumë drejtime disa këshilla ku duhet të mbështetet seriozisht politikëbërja dhe ekzekutivi për një reformë të thellë në AL (nje-shikim-ndryshe-per-greven-e-pedagogeve-dhe-ndihmen-ndaj-reformes-ne-arsim/). Shumë nga konstatimet dhe këshillimet mbeten aktuale edhe për sot, për të mos thënë që disa prej tyre janë rënduar edhe më shumë.

Në një vend të vogël dhe të prapambetur, vlera prej 60 IAL është jashtëzakonisht e lartë, jashtë çdo lloj standardi. Me sistemin tonë, për numrin e IAL-ve për 1000 banorë, u bëjmë karshillëk dhe shumë vendeve me tradita në arsim; pa folur për dy sisteme, publik dhe privat me rregulla të pabarabarta që i bëjnë po ashtu karshillëk dhe konkurencë njëri-tjetrit. Pa folur për vlerën e ulët që Shqipëria jep nga Buxheti i shtetit për arsimin e lartë që ai të zhvillohet si duhet, dhe t’i shërbejë si duhet zhvillimit të vendit: vetëm 2.26% e PBB është parashikuar për arsimin për vitin 2025, dhe nga kjo vetëm 0.023% shkon për arsimin e lartë dhe shkencën; shumë qesharake!!! Përpos retorikës plot eufori të ditës, duket se gjendja mbetet larg kërkesave të Kreut 26, për Arsimin dhe Kulturën, që kërkohet të përmbushen për integrimin në BE. Me këtë sistem dhe vizion të munguar, dhe me legjislacionin ekzistues, vështirë se mund të flitet për përparim. Si botë akademike jemi thuajse të rraskapitur në përpjekjet tona për të ndryshuar dhe për t’u dhënë pak shpresë të rinjve tanë. Jetojmë sot në një atmosferë të ndezur politike parazgjedhore, ku forcat politike çfarë nuk thonë e premtojnë, por asnjëra nuk shprehet se si do të dalë vendi nga kjo gjendje ku e ka zhytur politika shqiptare arsimin e lartë.

 

 

Pak shifra

Kuptohet që cilësia e mësimdhënies si në sistemet publike ashtu edhe në ato private është larg standardeve dhe kërkesave të kohës për një zhvillim normal të vendit. Në vite kandidatët më të mirë kërkojnë të shpëtojnë nga diplomimi në këtë arsim të çuditshëm shqiptar duke ndjekur rrugën e mërgimit, dhe studimet në universitete jashtë vendit. Për gjithë kandidatët që guxojnë të studiojnë në Shqipëri, ajo që është shumë e dukshme dhe shumë shqetësuese sot është shpërndarja e pabarabartë e regjistrimeve sipas fushave të studimit për të cilat ka nevojë vendi. Në tabelën në vijim jepet numri i studentëve të regjistruar në arsim në 5 vitet e fundit sipas fushave kryesore të studimit (INSTAT, 2025; Tab.3).

 

Numri i studentëve të regjistruar në arsimin e lartë shqiptar në 5 vitet e fundit (INSTAT, 2025; Tab.3)
Viti shkollor / akademik 2019-20 2020-21 2021-22 2022-23 2023-24
Fushat e studimit          
Shkenca arsimi 9,062 8,367 8,085 7,317 6,840
Arte dhe shkenca humane 12,537 10,972 9,536 7,926 7,302
Shkenca sociale, gazetari dhe  informacion 11,397 10,277 9,204 9,222 8,260
Biznes, administrim dhe ligj 32,732 31,173 32,227 30,713 28,510
Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë 5,962 4,924 4,553 4,056 2,297
Teknologji e Informacionit dhe komunikimit 8,883 8,341 8,458 9,297 8,964
Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim 20,775 20,537 22,555 22,834 23,053
Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari 4,158 3,458 2,770 3,108 3,001
Shëndet dhe mirëqenie 20,199 21,195 22,130 22,433 24,410
Shërbime 4,559 4,553 4,362 4,446 4,357
Gjithsej 130,264 123,797 123,880 121,352 116,994

 

Ka vite që vihet re rënie e dukshme e numrit të studentëve në programet më të rëndësishme të zhvillimit të vendit. Kjo bëhet në kurriz të fryrjes së vetëm disa fushave, të ashtuquajtura të preferuara, të cilat pavarësisht nevojave, kanë rënduar shumë në ecurinë e pjesës tjetër të programeve, duke ulur dukshëm numrin, por edhe cilësinë e të regjistruarve në hyrje. Konkretisht në Universitetin e Tiranës, dhe sidomos në Fakultetin tonë të Shkencave të Natyrës, vihet re rënie drastike e numrit të studentëve të regjistruar në shumë programe studimi. Mendoj se po kjo prirje ndihet dukshëm edhe në institucione të tjera, si në Universitetin e Lartë Bujqësor, dhe gjetkë.

Në histogramin më pas është shpërndarja e studentëve sipas fushave të studimit, mbështetur në të dhënat e tabelës më sipër. Bie dukshëm në sy se pjesa më e madhe e studentëve preferojnë të shkojnë në fushat studimore: Shëndet dhe mirëqenie; Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim; dhe Biznes, administrim dhe ligj (fushat e preferuara të shprehura më lart).  Vlerat në këto fusha janë disa herë më të larta se në gjithë fushat e tjera të studimit, deri në 65% të gjithë regjistrimeve për vitin akademik 2023-2024; vetëm 35% e kandidatëve regjistrohen në programet që mbeten; duhet thënë se me pak përjashtime, cilësia e këtyre të fundit është edhe shumë herë më e dobët se e pjesës që shkon në programet e preferuara; kjo ndër të tjera edhe për shkak të formulës aspak të mençur të shpërndarjes nga MASR.  

 

 

 

Nuk kam asgjë ndaj këtyre programeve, por të gjithë së bashku, vetë shoqëria jonë, IAL-të, në veçanti politikëbërja, ekzekutivi, dhe sidomos MASR, duhet të mendojnë për një shpërndarje sa më të drejtë të kuotave nëpër programe. Vendi nuk ka nevojë vetëm për të diplomuar cilësorë në disa degë të preferuara, por për ekspertë cilësorë dhe në degë të tjera që ekonomia të mbahet si duhet, të ecë jo çalë-çalë, të jetë sa më e qëndrueshme, dhe të japë siguri më shumë për jetën në vend. Për këtë nuk ka nevojë të ecim ‘alla shqiptarçe’ nëpër rrugë të pashkelura. Mendoj se mund të mësohet edhe nga përvoja e shumë vendeve në rajon dhe gjetkë: Greqi, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi, madje dhe Kosovë.

 

Fushat më të shpërfillura: shkencat e natyrës dhe bujqësia

Në këtë shpërndarje jo shumë vizionare të kuotave, më të shpërfillurat janë fushat studimore: Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë; dhe Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari. Në grafikun më poshtë, vihet re se numri i studentëve në vitet e fundit pëson rënie dukshëm. Vlen të ritheksojmë se, të dya këto fusha ofrojnë programe studimi që formojnë ekspertë të kualifikuar në degë të rëndësishme të zhvillimit të vendit: Në të parën, që është edhe më e cënuara përgatit mësuesit e ardhshëm në vend, në biologji, kimi, fizikë, matematikë, dhe ekspertët përkatës në shkencat e natyrës, të aftë në vlerësimin e cilësisë së mjedisit (ujë, ajër, tokë, biodiversitet), cilësisë së ushqimit, shëndetit të njeriut, ekspertët në biologji mjedisore dhe molekulare, në kimi, në fizikë, në gjeologji etj. Në të dytën, janë degët e bujqësisë, pyjeve, blegtorisë, peshkimit etj., sektorë jetikë ku mbështetet zhvillimi i një vendi, por për hir të së vërtetës sektorë tepër të shpërfillur nga politika në gjithë këto vite.

 

 

 

Një shembull nga sistemi: FShN, UT

Nga ana tjetër, nga sa e njoh unë gjendjen, qoftë për hir të traditës, qoftë edhe për rëndësinë e tyre, programet Bachelor dhe Master, në këto fusha jo të ‘pëlqyera’, bëjnë dallim dukshëm në përmbajtjen e tyre, në cilësinë e lëndëve, por dhe në gjithë veprimtarinë shkencore dhe edukuese, e cila sigurohet nga cilësia e personelit akademik që shpesh i kalon kufijtë kombëtarë, nga infrastrukutura mësimore-shkencore, nga publikimet me karakter mësimor-shkencor, nga niveli i punës shkencore, i projekteve etj.

Mjafton të vë në dukje se në FShN, UT, ku unë punoj prej rreth 40 vitesh, ndjekin mësimin mbi 2500 studentë në të dy ciklet, mbi 1600 studentë në 13 programet e ciklit të parë bachelor, dhe mbi 800 studentë në 23 programet master, dhe të tjerë në programet e doktoratës (PhD). Në ndihmë të këtyre studentëve është një personel prej 280 personash akademikë efektivë (PAE), ndihmësakademikë (PAN) dhe administrativë (PA), ku mbi 60% janë me tituj akademikë (Prof. & Prof.asoc.). Këtyre u shtohen dhe mjediset, dhe gjithë personeli i Instituti i Fizikës Bërthamore të Zbatuar (IFBZ; https://ifbz.al/), me tri departamentet përbërëse, të cilat historikisht mbajnë lidhje të ngushta në mësim dhe kërkim me Departamentin e Fizikës. Në tabelën që vijon jepet përbërja e personelit akademik (PAE & PAN) në FShN dhe IFBZ pwr vitin 2025 (https://fshn.edu.al/).

 

Përbërja e stafit akademik dhe ndihmësakademik (PAE &PAN),  FShN, UT dhe IFBZ, UT, 2025
Njësia bazë Personeli akademik efektiv (PAE), sipas titujve dhe gradave përkatëse PAN
Prof. Prof.asoc Dr. MSc. Gjithsej
Departamenti i Biologjisë 12 6 8 0 26 6
Departamenti i Bioteknologjisë 5 3 2 0 10 5
Departamenti i Fizikës 4 9 7 0 20 5
Departamenti i Informatikës 2 1 14 5 22 5
Departamenti i Kimisë 14 8 5 2 29 12
Departamenti i Kimisë Industriale 5 8 3 1 17 5
Departamenti i Matematikës 3 8 4 0 15 1
Departamenti i Matematikës së Aplikuar 1 4 5 3 13 1
Qendra Kërkimore Shkencore e Florës dhe Faunës (QKFF) 2 6 4 1 13 6
─ Muzeu i Shkencave të Natyrës “Sabiha Kasimati” (MShN) 0 4 2 0 6 2
─ Herbari Kombetar (HK) 1 1 1 1 4 2
─ Kopshti Botanik i Tiranës (KBT) 1 0 2 0 3 2
Gjithsej FShN 48 53 52 12 165 46
Instituti i Fizikës Bërthamore të Zbatuar (IFBZ) 1 5 4 8 18  
─ Departamenti i Mbrojtjes nga Rrezatimi dhe Rrjetet e Monitorimit 0 1 1 3 5  
─ Departamenti i Radiometrisë dhe Radiokimisë 1 4 1 1 7  
─ Departamenti i Metodave Analitike Instrumentale 0 0 2 4 6  
Gjithsej FShN+IFBZ 49 58 56 20 183 46

 

Për gjithë procesin e mësimdhënies dhe kërkimit në FShN është në dispozicion një hapësirë prej rreth 11,000 m2; vlen të përmenden këtu mbi 80 laboratorë të pajisur jo keq për mësimin dhe kërkimin; por këtu bëjnë pjesë edhe Qendra Kërkimore e Florës dhe Faunës (QKFF), e cila bashkon Muzeun e Shkencave të Natyrës “Sabiha Kasimati” (MSHN), Kopshtin Botanik të Tiranës (KBT) dhe Herbarin Kombëtar (HK); paravarësisht shpërfilljes dhe rrudhjes që kanë pësuar në këto vite tranzicioni, të tri këto institucione janë të vetmet në vend për veprimtarinë e tyre kërkimore-edukuese dhe shërbimet e tjera që ofrojnë prej rreth 60 vitesh jo vetëm për UT, por për gjithë vendin (https://sites.google.com/fshn.edu.al/qkff/qkff). Vlen të kujtoj se nga FShN-ja janë formuar profesionalisht dhe edukuar personalitete që kanë lënë gjurmë në zhvillimin e vendit, nga presidentë të vendit, kryetarë dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ministra, kryetarë partish politike, rektorë të UT-së dhe rektorë të IAL-ve të tjera, etj.

Të gjitha këto i vë në pah jo për reklamë, por për të treguar potencialin që ka ky institucion për vendin. Edhe pse në vite ne këmbëngulim se kaq sa përmenda nuk mjafton për të përmbushur kërkesat e kohës në mësimdhënie dhe në kërkim. Mbetet sfidë për Institucionet tona, por dhe për vetë Qeverinë Shqiptare, për Ministrinë përgjegjëse për arsimin tërheqja e studentëve në programet tona dhe mbështetja sa duhet me infrastrukturë, fuqizim laboratorësh, vlerësim të paanshëm të programeve dhe profesioneve përkatëse etj.

Ndër të tjera, siç duket dhe nga tabela e INSTAT-it dhe grafikët më sipër vihet re se pjesa më e madhe e studentëve preferojnë të zgjedhin programe që njihen si profesione të rregulluara; disa nga profesionet e rregulluara të mjekësisë, inxhinierisë etj., dhe programet e tyre përkatëse janë ndër më të kërkuarat, dhe ndër më të përhapurat në shumicën e 60 IAL-ve të vendit. Madje aq shumë sa marrin edhe pjesën më të madhe dhe më cilësore të kandidatëve për shkollë të lartë. Konkretisht për masterat tanë biologjikë kemi kërkuar vite më parë, por pa sukses, që dy profesionet: Biolog mjedisor dhe Biolog molekular, të shtohen në listën e profesioneve të rregulluara (Ligji 10171/2009, neni 5). Këtu ka rëndësi që MASR të kuptojë rëndësinë dhe të bashkëpunojë që ky ligj të amendohet. Ligji 10171/2009 është i cunguar dhe jo në përputhje me kërkesat e kohës, për të dy këta profesione, as për shëndetin publik dhe as për çështjet mjedisore. Mendoj se kjo mund të jetë edhe për profesione të tjera në shkencat e natyrës.

 

Në vend të mbylljes

Me këto komente nuk dua të shkurajoj të rinjtë dhe vendin, por t’i tregoj shoqërisë shqiptare, politikëbërjes se arsimi i lartë ka nevojë për reformë të thellë. Kjo nuk mund t’u kërkohet vetëm ta bëjë secili institucion më vete. As nuk është thjesht punë propagandimi si thuhet rëndom, por nevojitet shumë vision dhe politikëbërje e shëndoshë. Krahas lëvizjes së brendshme në çdo institucion për ndryshim, për progres, duhet vetë politika të ulet seriozisht. Ka shumë rëndësi këtu roli i Ministrisë përgjegjëse për arsimin: në reformën ligjore dhe aktet e tjera; në sistemin publik-privat; në cilësinë joformale të akreditimit të IAL-ve dhe programeve përkatëse; në zbutjen e frymës student-klient; në koston reale të shkollimit në IAL dhe tarifat përkatëse; në rekrutim të paanshëm dhe motivim më të mirë të personelit mësimor-shkencor; në shpërndarjen e drejtë të kuotave sipas programeve në përparësi dhe jo sipas kërkesave joshëse të IAL-ve, në reformën zgjedhore në IAL-të publike etj.

#Një #vështrim #shkurtër #arsimit #të #lartë #në #Shqipëri
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button