Aktualitet

Tarifa doganore 10% për mallrat hyri sot në fuqi, Trump u drejtohet amerikanëve: Rezultati final do jetë historik

Pas hyrjes në fuqi të tarifës doganore bazë prej 10% për mallrat që shiten në SHBA, , presidenti Donald Trump u ka bërë garanton amerikanëve të jenë të sigurt se strategjia e tij do të jetë fitimprurëse për Amerikën, por kjo nuk do të arrihet shpejt dhe lehtë, ndaj u kërkon të qëndrojnë të fortë dhe besimplotë.

“Kina është goditur shumë më rëndë se SHBA-të, as që krahasohet. Ata, dhe shumë vende të tjera, na kanë trajtuar në mënyrë të papërballueshme të padrejtë. Ne kemi qenë si “shënjestra e pambrojtur dhe budallaqe”, por jo më. Po i rikthejmë vendet e punës dhe bizneset si kurrë më parë. Deri tani, më shumë se PESË TRILIONË DOLLARË INVESTIME, dhe kjo shifër po rritet me shpejtësi! KJO ËSHTË NJË REVOLUCION EKONOMIK, DHE NE DO TË FITOJMË. QËNDRO FORT, nuk do të jetë e lehtë, por rezultati përfundimtar do të jetë historik. Ne do ta BËJMË AMERIKËN SËRISH TË MADHE!!!”,- shkruan Trump në “Truth Social”.

Njoftimi i Trump për tarifat, i bërë të mërkurën, tronditi tregjet botërore, duke fshirë 5 trilionë dollarë nga vlera e aksioneve të kompanive të S&P 500 deri në fundjavë – rënia më e madhe dyditore ndonjëherë. Çmimet e naftës dhe mallrave të tjera ranë ndjeshëm, ndërsa investitorët u drejtuan nga bonot shtetërore si mjet sigurie.

Ndër vendet që janë prekur të parat nga tarifa doganore 10% janë Australia, Britania, Kolumbia, Argjentina, Egjipti dhe Arabia Saudite. Sipas një buletini të Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA, nuk ka një lehtësim as për mallrat që ndodheshin ende në det në momentin e hyrjes në fuqi të tarifës.

Megjithatë, për ngarkesat që janë nisur me avion ose anije para orës 00:01 të mëngjesit të së shtunës, është dhënë një periudhë 51-ditore lehtësimi. Këto mallra duhet të mbërrijnë në SHBA deri më 27 maj për të shmangur tarifën doganore 10%.

Po në orën 00:01 të mëngjesit të së mërkurës, hyjnë në fuqi tarifat e reja “reciproke”, që variojnë nga 11% deri në 50%. Importet nga Bashkimi Europian do të taksohen me 20%, ndërsa ato nga Kina me 34%, duke e çuar totalin e tarifave të reja për Kinën në 54%.

Vietnami, që kishte përfituar nga zhvendosja e zinxhirëve të furnizimit amerikan pas luftës tregtare të parë me Kinën, do të preket nga një tarifë 46%. Të premten, Vietnami ra dakord të nisë bisedime për një marrëveshje tregtare me Trump.

Kanadaja dhe Meksika përjashtohen nga tarifat e reja, për shkak të një tarife të mëparshme 25% të vendosur për mallrat që lidhen me krizën e fentanilit dhe që nuk respektojnë rregullat e origjinës të marrëveshjes SHBA-Meksikë-Kanada.

Po ashtu, Trump ka përjashtuar nga tarifat doganore, mallrat që tashmë janë të taksuara me tarifa të veçanta 25% për arsye sigurie kombëtare, përfshirë çelikun, aluminin, makinat dhe pjesët e tyre.

Administrata e tij publikoi gjithashtu një listë me mbi 1,000 kategori produktesh të përjashtuara nga tarifat doganore, me një vlerë totale prej 645 miliardë dollarësh në importe për vitin 2024. Këto përfshijnë naftën bruto, produktet e rafinuara, barnat farmaceutike, uraniumin, titanin, drurët, çipat kompjuterikë dhe bakrin. Me përjashtim të sektorit të energjisë, administrata Trump po heton edhe disa nga këto kategori për vendosjen e mundshme të tarifave shtesë për sigurinë kombëtare.

#Tarifa #doganore #për #mallrat #hyri #sot #në #fuqi #Trump #drejtohet #amerikanëve #Rezultati #final #jetë #historik
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button