U kap me targa automjetesh dhe 107 doza kokaine gati për shitje, arrestohet 25-vjeçari në Vorë

Një 25-vjeçar është vënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi posedonte 107 doza kokainë, të cilat ishin bërë gati për shitje.
Gjithashtu iu gjetën dhe 5 targa automjetesh, 1 prej të cilave rezultonte e vjedhur në qytetin e Fierit.
Njoftimi i policisë:
Posedonte me qëllim shitjen, 107 doza kokaine dhe 5 targa automjetesh (njëra e një automjeti të vjedhur në Fier), arrestohet 25-vjeçari.
Komisariati i Policisë Vorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një shtetas që posedonte lëndë narkotike dhe sende të kundërligjshme, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Settings”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi B. H., 25 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Vorë-Tiranë”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin B. H. Gjatë kontrollit fizik ndaj tij dhe kontrollit në automjet, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.
Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi dhe në servisin që ai kishte në përdorim, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 107 doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, që dyshohet se ai i posedonte me qëllim shitjen, 5 targa automjetesh, njëra prej të cilave i përket një automjeti të vjedhur në Fier, dhe një sasi e vogël municioni luftarak.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e veprimtarive kriminale të këtij shtetasi.
#kap #targa #automjetesh #dhe #doza #kokaine #gati #për #shitje #arrestohet #25vjeçari #në #Vorë
Java News