Problemet në platformën X, reagon Elon Musk: Kishim një sulm kibernetik

Elon Musk pretendoi të hënën pasdite se X ishte në shënjestër të një “sulmi masiv kibernetik” që çoi në ndërprerje të shërbimit për shumë përdorues në këtë rrjet social.
Platforma, e njohur më parë si Twitter, shfaqi probleme për shumë përdorues, pasi postimet nuk mund të ngarkoheshin.
“Ne sulmohemi çdo ditë, por kjo u bë me shumë burime,” postoi CEO i platformës. “Ose një grup i madh, i koordinuar dhe/ose një vend është i përfshirë.”
Downdetector, një faqe që monitoron ndërprerjet në faqe dhe platforma të ndryshme, tregoi mijëra raporte të ndërprerjeve që fillimisht u rritën rreth orës 5:45 të mëngjesit, përpara se të ktheheshin në normalitet për disa orë. Një rritje e dytë e ndërprerjeve të raportuara vazhdoi gjatë mesditës, ku shumica e tyre ndodhën në aplikacionin celular të kompanisë.
Tweet-et që nuk shfaqeshin tregonin një mesazh që thoshte “diçka shkoi keq” dhe përdoruesve u kërkohej të provonin të rifreskonin faqen.
Musk përsëriti pretendimin e tij për një sulm kibernetik gjatë një interviste në Fox Business, duke sugjeruar se autorët mund të kenë qenë nga Ukraina.
“Ne nuk jemi të sigurt se çfarë ka ndodhur saktësisht, por ka pasur një sulm masiv kibernetik që ka tentuar të rrëzojnë sistemin X me adresa IP që vinin nga zona e Ukrainës,” tha Musk.
Musk ka qenë shumë kritik ndaj qeverisë ukrainase pasi marrëdhëniet mes saj dhe administratës Trump janë acaruar. Ai deklaroi gjatë fundjavës se “e gjithë linja e frontit” e vendit do të shembet nëse ai çaktivizonte ofruesin e tij të komunikimit satelitor Starlink.
Një burim në industrinë e infrastrukturës së internetit tha se X ishte prekur nga disa ndërprerje shërbimi duke filluar nga orët e mëngjesit. Burimi foli në kushte anonimiteti, pasi personi nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht për këtë çështje.
X po përballej me ndërprerje sipas Downdetector, duke u mohuar 11,745 përdoruesve në SHBA qasjen në platformë. Numri i ndërprerjeve të raportuara u rrit në rreth 26,579, treguan të dhënat e dorëzuara nga përdoruesit në faqen e internetit që regjistron ndërprerjet. Më herët gjatë ditës, numri arriti deri në 40,000.
Ndërprerjet në X janë bërë pjesë e një sërë çështjesh me të cilat po përballen bizneset dhe iniciativat e Musk ditët e fundit. Të premten, një nga raketat SpaceX të Musk shpërtheu në mes të fluturimit dhe ra si shi mbeturinash pranë Bahamas. Një seri protestash mbarëkombëtare për “heqjen e Teslës” kanë shënjestruar përfaqësitë e kompanisë së tij të makinave gjatë javës së kaluar. Po ashtu, pronarët e Teslës po shesin automjetet e tyre dhe çmimi i aksioneve të kompanisë ra të hënën në nivelin më të ulët në muajt e fundit.
Ndërkohë, Trump mbajti një takim intensiv me Musk dhe sekretarët e kabinetit të tij të premten, që rezultoi në sugjerimin e Trump-it se do të frenonte pushtetin e Musk mbi punonjësit e qeverisë, të cilët miliarderi i ka shkarkuar masivisht nga agjenci të shumta.
Shefi ekzekutiv i SpaceX, i cili bleu Twitter për 44 miliardë dollarë në 2022, ka pohuar gjithashtu se ndërprerjet e mëparshme të platformës ishin rezultat i sulmeve kibernetike.
/Euronews Albania/
#Problemet #në #platformën #reagon #Elon #Musk #Kishim #një #sulm #kibernetik
gazetablic.com