Zelensky: Ukraina është plotësisht e përkushtuar ndaj dialogut konstruktiv me SHBA-në

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Ukraina është “plotësisht e përkushtuar” për të pasur një dialog konstruktiv me përfaqësuesit e SHBA-së në Arabinë Saudite javën e ardhshme mbi mënyrat për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Bëhet e ditur se që nga marrja e detyrës në janar, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ndërprerë ndihmën ushtarake për Ukrainën, si dhe shkëmbimin e inteligjencës me Kievin.
Ai ka akuzuar Zelenskyn se nuk është serioz për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, e cila nisi agresionin në Ukrainë tre vjet më parë dhe ka kapur rreth 20% të territorit të saj.
“Ukraina ka kërkuar paqen që në sekondën e parë të kësaj lufte. Propozimet realiste janë në tryezë. Çelësi është të lëvizim shpejt dhe me efektivitet”, tha Zelensky.
Lideri ukrainas njoftoi se do të vizitojë Arabinë Saudite javën e ardhshme dhe se pas takimit me Princin e Kurorës Mohammed Bin Salman, përfaqësuesit diplomatikë dhe ushtarakë ukrainas do të qëndrojnë për një takim me ekipin amerikan, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
“Nga ana jonë, ne jemi plotësisht të përkushtuar për dialog konstruktiv dhe shpresojmë të diskutojmë dhe të biem dakord për vendimet dhe hapat e nevojshëm”, tha ai.
#Zelensky #Ukraina #është #plotësisht #përkushtuar #ndaj #dialogut #konstruktiv #SHBAnë
gazetablic.com