Macron: Së bashku me Britaninë fillimisht do të propozojmë armëpushim të pjesëshëm në Ukrainë

Franca dhe Britania do të propozojnë një armëpushim të pjesshëm njëmujor mes Rusisë e Ukrainës, i cili nuk do t’i mbulonte luftimet tokësore, i tha të dielës gazetës “Le Figaro” presidenti francez, Emmanuel Macron.
Megjithatë, ai theksoi se me këtë armëpushim do të mbuloheshin sulmet nga ajri, nga deti dhe ato ndaj infrastrukturës energjetike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Në rast të një armëpushimi, do të ishte shumë vështirë që të vërtetohej se (luftimet) përgjatë frontit ishin duke u respektuar” – tha Macroni, duke shtuar se vija e frontit është e gjatë sa largësia mes Parisit e Budapestit.
Presidenti francez bisedoi me gazetën “Le Figaro” gjatë udhëtimit për në Londër për një takim të udhëheqësve evropianë, të organizuar nga kryeministri britanik, Keir Starmer, për t’i çuar përpara përpjekjet për hartimin e një plani të paqes për Ukrainën.
Sipas propozimit franko-britanik, trupat tokësore evropiane do të dislokoheshin në Ukrainë vetëm në një fazë të dytë të armëpushimit, bëri të ditur Macroni.
“Nuk do të ketë trupa evropiane në tokën ukrainase në javët e ardhshme” – citohet të ketë thënë ai.
“Pyetja është se si ta shfrytëzojmë ne këtë kohë për të siguruar një armëpushim, me bisedime që do të marrin disa javë e pastaj, porsa të nënshkruhet paqja, dislokimi i trupave” – shtoi presidenti francez.
Kur u pyet nëse ishte i vetëdijshëm për këtë plan para gazetarëve në Londër, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha: “Unë jam i vetëdijshëm për gjithçka.”
Macroni ka thënë se Franca dhe vendet e tjera evropiane duhet të shpenzojnë më shumë në fushën e mbrojtjes. Ai i tha gazetës “Le Figaro” se kjo mund të nënkuptojë rreth 3 deri në 3,5 për qind të prodhimit vendës bruto. Sipas tij, edhe Komisioni Evropian duhet të jetë më inovativ në financimin e shpenzimeve të mbrojtjes.
#Macron #Së #bashku #Britaninë #fillimisht #të #propozojmë #armëpushim #të #pjesëshëm #në #Ukrainë
gazetablic.com