Aktualitet

Në zgjedhjet e 11 majit votojnë edhe 3063 të burgosur, ‘Dekriminalizimi’ ndalon të votojnë 1357 persona –

Në 11 maj do të hapen qendra votimi edhe në paraburgimet dhe burgjet e vendit. Report TV ka mësuar se numri total i të burgosurve dhe të paraburgosurve me të drejtë vote është 3,036. Megjithëkëtë, ata mund të votojnë vetëm nëse kanë karta identiteti.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tha zyrtarisht se po vijon punën në të gjitha Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) për të garantuar pajisjen me dokumente identifikuese të vlefshme për të gjithë personat me të drejtë vote, duke iu mundësuar kështu ushtrimin e kësaj të drejte kushtetuese.

Në këtë fazë, ata nuk ishin të gatshëm të tregonin se sa persona brenda IEVP-ve nuk kanë dokumente e rrjedhimisht rrezikojnë të mos votojnë. Ndërkohë, jo të gjithë ata që ndodhen të izoluar mund të votojnë.

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga Report TV, numri i personave që u pezullohet përkohësisht e drejta e votës, në bazë të ligjit të dekriminalizimit, është 1,357 persona, prej të cilëve: 1,294 të dënuar dhe 63 të arrestuar.

Ligji jua ndalon të drejtën e votës personave që janë në burg për disa vepra të rënda, si: gjenocidi, krimet kundër njerëzimit, vrasjet, torturat, marrëdhëniet seksuale me të mitur ose me dhunë, rrëmbimet, apo krimet zgjedhore. Ndërkohë, KQZ ende nuk ka miratuar rregullat e votimit brenda burgjeve, pasi PD po këmbëngul që të votojnë vetëm ata të burgosur apo të paraburgosur të cilët kanë gjendjen civile brenda atij qarku ku ndodhet burgu.

Vota e të të dënuarve me burg është bërë mollë sherri që nga zgjedhjet lokale të vitit 2023, kur socialistët me votat e tyre përmbysën rezultatin dhe fituan Rrogozhinën. Nëse do të zgjedhin të votojnë, më 11 maj, në burgje do të shprehin vullnetin edhe politikanët. Ervin Salianji nga burgu i Fierit, apo Erion Veliaj, Aldi Bllako, Jurgis Cyrbja dhe Ilir Beqaj nga burgu i Durrësit.

Në Tiranë, nga burgu 313 Ilir Meta do të ketë mundësi edhe të zgjedhë, edhe të zgjidhet. Partia e tij garon në koalicion me Berishën, ndërsa vetë Meta do të jetë deputet në një pozicion të sigurt brenda këtij koalicioni, edhe pse gjasat janë që kur të rizgjidhet anëtar i parlamentit, të jetë akoma në qeli

#Në #zgjedhjet #majit #votojnë #edhe #të #burgosur #Dekriminalizimi #ndalon #të #votojnë #persona
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button