Aktualitet

Studimi i ri/ Evropa do të ketë miliona vdekje nga i nxehti –

Stina e verës në qytete po bëhet gjithnjë e më e padurueshme në rajonin e Mesdheut. Dhe nxehtësia nuk është vetëm e pakëndshme, por mund të jetë edhe vdekjeprurëse.

Studiuesit parashikojnë se me reduktimet e pakta në çlirimin e gazeve që shkaktojnë efektin serrë dhe me përpjekjet e pakëta për t’u përshtatur, si p.sh. me krijimin e qendrave të ajrit të kondicionuar, vendet si Italia, Spanja jugore dhe Greqia ka të ngjarë të pësojnë rritje masive në shkallën e vdekjeve nga nxehtësia për shkak të ndryshimeve klimatike.

Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e vendeve skandinave dhe Britanisë do të shohin më pak vdekje nga temperaturat, kryesisht për shkak të temperaturave të ftohta të moderuara, sipas studimit të ri nga Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër (LSHTM).

Raporti i botuar në revistën “Mjekësia e Natyrës” (“Nature Medicine”) zbulon se aktualisht temperaturat e ftohta vrasin shumë më tepër njerëz në Evropë se nxehtësia, por programet e simulimit klimatik me skenarë të ndryshëm për 854 qytete, treguan se kjo do të ndryshojë.

Të dhënat tregojnë se me ngrohjen e klimës, do të pakësohen dalëngadalë vdekjet nga i ftohti, por se vdekjet nga nxehtësia pritet të rriten me shpejtësi, duke vrarë deri në 2.3 milionë njerëz në Evropë deri në fund të shekullit.

Autori kryesor, Pierre Masselot, është studiues për statistikat e aplikuara në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër (LSHTM).

“Ka disa vende tek të cilat vlerësojmë se do të ketë një ulje të lehtë të vdekjeve në përgjithësi në të ardhmen. Këto janë vendet veriore, si Irlanda, Britania e Madhe dhe vendet skandinave, por ato përfaqësojnë një pjesë shumë të vogël të popullsisë evropiane, ndërsa shohim një rritje në pjesët më jugore të Evropës. Përgjithësisht pritet një rritje masive e vdekjeve të lidhura me temperaturën në pjesën lindore të Spanjës, Francën jugore, në Itali, Greqi dhe në Ballkan”, thotë zoti Masselot.

Evropa Jugore pritet të përjetojë ndryshime më të mprehta të temperaturave se rajonet e tjera të globit.

“Një pjesë e arsyes për rritjen masive të vdekjeve nga nxehtësia është fakti se Mesdheu është ndër të ashtuquajturat pika të nxehta të ndryshimeve klimatike, kështu që është një rajon që po ngrohet shumë më shpejt se pjesa tjetër e botës”, thotë zoti Masselot.

Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër përdori simulime klimatike të skenarëve të ndryshëm dhe vlerësoi shkallën e vdekshmërisë në 854 qytete. Studiuesit zbuluan se me ngrohjen e klimës, vdekjet nga i ftohti bien dalëngadalë, por se vdekjet nga nxehtësia rriten me shpejtësi.

Studiuesit besojnë se shkalla e vdekjeve mund të modifikohet nëse këto vende ulin emetimet dhe marrin masa për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike, por se gjithësesi, Evropa Perëndimore duke qenë më e pasur do të jetë në një gjendje më të mirë se ajo lindore. Qytetet e mëdha me shumë popullsi dhe që gjenden më pranë Mesdheut, mund të shohin rritje të madhe të vdekjeve gjatë pjesës tjetër të shekullit.

Studiuesit i përshtatën shifrat duke përllogaritur si faktor popullsinë në plakje në Evropë, qytetet me banesa më të vjetëruara, të cilat janë më të vështira për t’u izoluar nga nxehtësia dhe rekomandojnë masa siç janë ndërtimi i godinave me ajër të kondicionuar dhe qendra freskie nëpër qytete.

“Studimi mund t’i ndihmojë politikanët, politikëbërësit që të kenë një botëkuptim më të mirë dhe që të kuptojnë se cilat do të jenë pasojat nëse nuk marrin masa”, thotë zoti Masselot.

Ekipi i studimit ka krijuar edhe një faqe interneti interaktive, ku paraqiten të dhënat për çdo qytet dhe faktorët e ndryshëm që mund të ndikojnë./ VOA

#Studimi #Evropa #të #ketë #miliona #vdekje #nga #nxehti
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button