Tiparet e prokurorisë represive nuk i sheh nga brënda saj, por nga jashtë! –

Nga Bajram Peçi
Kryeprokurori i SPAK, Dumani, autoriteti ligjor që i përmbushi kërkesën prokurorit Ols Dado për izolimin në qeli të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, nxitoi t’i quaj përpjekje për ta paraqitur represive organin që ai drejton. Nuk priti të kthjellohen paksa gjërat dhe të arsyetojë i qetë, por u nxit nisur nga dëndësia shqetësuese e publikimeve në media të sjelljes së prokurorit dhe qëndrimit të trupit gjykues. Nga brënda hapësirës së institucioninit ku ai punon, nuk është në gjendje që shqisat të shohin shëndetin e organit. Nga jashtë, të tjerë, që nuk kanë të bëjnë me familjritetin e asaj hapësire, shohin dhe prekin më qartë realitetin.
Që zotëria e tij nuk ka asnjë të drejtë, duke mos marrë në vlerësim kritikat që i drejtohen, po radhis më poshtë, duke filluar me shprehjen:
-”Me mua do matet ky, e di ku e çoj unë? Ndyrësirë!
Nuk është zënkë garipash në rrugët plot zhurmë të Tiranës! Jemi në një sallë gjykate të një shteti demokratik, është prokurori Ols Dado, që siç del nga publikimi i regjistrimit të seancës për paraburgosjen, i drejtohet Erion Veliajt, por dhe gjyqtarëve. E gjithë kjo sjellje represive zhvillohet në prani të gjyqtarit Erjon Bani, njëkohësisht kryetar i GJKKO-së, i cili ka përgjegjësinë të drejtojë zhvillimin gjyqësor në përputhje me kodin e procedurës. Por jo vetëm! I pranishëm në trupën prokuror është vetë Kryeprokurori i SPAK-ut, Altin Dumani, i cili nuk është bindur deri tani se e gjithë gjuha e përdorur nga prokurori, madje dhe toni kërcënues, nuk përbëjnë sjellje represive!? Pra, gjithçka është normale. Qetësi ju në sallë!
Që procesi ndaj Erion Veliaj duket të jetë i motivuar politikisht dhe i montuar, fillon me zhvillimet para arrestimit. Dy ditë përpara, Sali Berisha në një dalje publike, i kërkon ndjesë prokurorit Ols Dado, të cilin na e paska quajtur dikur të lidhur me grupet kriminale!? Mbas 40 orësh Veliajn e marrin nga zyra dhe e dërgojnë në qeli. Pak orë para kësaj, do ishte një eksponent tjetër i PD-së, Paloka, që do jepte lajmin se Veliaj do arrestohet?! Edhe një mëndje fëminore do bënte lidhjen, që “baba” është vënë në dieni se do ta arrestojnë Veliajn; se PD-ja informohet rregullisht prej SPAK-ut; se mëndja tashmë e rrjedhur e “Bufit”, padashje zbulon motivet politike të parabugosjes së kryetarit të bashkisë. Këtu qëndron tërë përmbajtja e zhvillimeve të vrullshme 90 ditë para zgjedhjeve!
Dihet se si shkojnë zakonisht këto proçeset e montuara politikisht. Kur ndërmerr një proçes politik, si ai që Sali Berisha ndërmori ndaj ish Kryetarit të Partisë Socialiste, z. Fatos Nano, për shishkat me pije të ndihmave humanitare, përfundimi ishte që në krye i njohur, do dënohet me çdo mënyrë! Kjo dukej ashiqare atë botë nga ngërdheshjet e prokurorit dhe gjyqtarit.
Edhe në rastin e z. Veliaj, druaj se ata nuk do ta marrin parasysh kërkesën e arsyeshme për të zëvendësuar prokurorin, mllefi i të cilit u demonstrua haptas përmes fyerjeve e sharjeve kaluar represionit. Nga ky represion i shfaqur ndaj të akuzuarit, që mohohet pa teklif, mund të parashikojmë se si do të përfundojë ai!
Tek gjyqet politike, ngjyrat e të cilës ka marrë proçesi ndaj Veliajt, shihen si realitete të shfaqjeve represive të organeve të drejtësisë. Procesi politik ndaj Veliaj u duk qartazi se ishte ndërtuar përmes presioneve, arrogancës dhe kërcënimeve, ndryshe nuk mbijeton dot liria e shfrenuar e sjelljes autokratike, që dhunoi barazinë para ligjit të Veliaj me prokurorin!
Dhuna verbale ndaj Veliajt u pa të jetë pjesë strategjike e represionit gjyqësor, përmes së cilës përcillet frika tek i gjithë grupi i ndaluar, sikur sjellja ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe nuk e deformon atë.
Gjykatat gjithnjë u kanë shërbyer regjimeve autokratike, si ajo e Sali Berishës, ndaj dhe reforma e kryer këtë synonte, të ndërpriste e ndalonte këtë shërbim! Aspirohej, që ju prokuror e ju gjykatës, të mos bëni ndjekje penale të udhëhequr nga simpatitë dhe antipatitë personale, të mos mundënit t’i përdornit akuzat për të mënjanuar kundërshtarët politikë, të gjitha të paraqitura në emër të ligjit.
Akuzat për korrupsion dhe vepra të tjera penale, ditë pas dite Erion Veliaj po ua shpjegon ndjekësve të tij në media online, do t’ja shpjegoj me siguri dhe trupit gjykues kur të vijë koha (me siguri pas 11 majit), por deri tani akuzat janë ende amorfe: Cilat ishin arsyet për masën e sigurisë të arrestit në burg për Erion Veliaj, rrezik arratisjeje, rrezik për shkatërrimin e fakteve dhe provave, rreziku se mos kryen një krimi tjetër? Ndonëse ligji e thotë qartë se kur ndalohet një i zgjedhur, cilat nga këto arsyet e forta, rreshtuar më sipër, u bënë shkas që Dumani ja firmosi kërkesën prokurorit dhe madje vuri edhe veten në grupin e prokurorëve?
Në vargun e proçedurave të zhvilluara nga Gjykata e Strasburgut kundër shtetit shqiptar për përdorimin e masave të paraburgimit mbi të akuzuarit, që janë aplikuar jashtë kritereve ligjore dhe në shkelje të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, po përmend vetëm dy: “Çështja Hysa”, 22 maj 2018 dhe kjo e ditëve të fundit, “Çështja Gëllçi”. Tek të dyja Gjykata e Strasburgut bën fajtor shtetin shqiptar se ishin paraburgosur, ndonëse kishin munguar arsyet e duhura dhe të mjaftueshme nga gjykatat vendase për të justifikuar paraburgimin.
Në të dyja rastet, ishin zhvilluar gjyqe shkel e shko dhe megjithëse ato u dënuan si nga Strasburgu ashtu dhe opinion i gjërë shqiptar, prokurorit e gjykatësit nuk i hyri gjëmb në këmbë. Gjëmbi u hyri financave shqiptare, duke u marrë qytetarëve, pensionisteve, fonde të mëdha vlerash materiale për të shlyer proçeset gjyqësore të Strasburgut. Në rastin Velia, paraburgimi është dënuar gjerësisht nga audienca vendase, por dhe ajo ndërkombëtare, të cilët e konsiderojnë paraburgimin si dënim të ashpër të bazuar në prova të dobëta ose inekzistente. Nuk haset gjëkund klasifikimi i veçantë i çështjes për t’u përcaktuar vepra penale. Akuzohet e paraburgoset pa gjyq për çfarë, për korrupsion, për shpërdorim detyre, për vjedhje të pasurisë publike? Për çfarë?!
Pa vënë në hesap të tjera qendrime, por vetëm prej kërcënimit në krye: ”Me mua do matet ky, e di ku e çoj unë? Ndyrësirë!”, ky prokuror duhet hequr menjëherë nga çështja dhe duhet t’i kalojë hetimit prej KLP-së. Mllefi i tij demonstrohet hapur për deri sa i ka ndaluar të paraburgosurit çdo takim. Në rastin e antishqiptarit Beleri, nuk ngeli antishqiptar pa u lejuar ta vizitoj. I erdhën ministra e deputetë të Greqisë, ambasada nuk ju nda asnjë ditë, Berisha dhe Meta u dobësuan nga ecejaket për ta takuar dhe mbrojtur nga Edi Rama.
Ligjet mund t’i reformosh, por një militant të PD-së, që kryen prokurorin apo gjyqtarin, ska gjasa ta reformosh dot! Sfida e rasteve të tilla është se, pavarësisht nëse akuzat janë të vërteta, vetë procesi duket i montuar. Në të vërtetë, sa herë që përndjekja bëhet ndjekje penale, ndikimi politik dhe jo faktet, kanë më shumë mundësi të përcaktojnë fatin e të akuzuarit, gjë që avokatët e Veliajt duhen ta kenë parasysh në mbrojtje.
Teoritë e Dumanit se nuk mund të intimidohet organi i akuzës se përdor represionin politik, supozon se prokurorët dhe gjyqtarët jo domosdoshmërisht janë gjyqtarë të paanshëm të ligjit, jo të gjithë mbajnë përgjegjësi për të njëjtat rregulla! Ende ligji përdoret si një armë, ndryshe pse do ishte e nevojshme të paraburgosej kryetari Bashkisë Tiranë?
#Tiparet #prokurorisë #represive #nuk #sheh #nga #brënda #saj #por #nga #jashtë
Java News