Qeveri e re serbe do të krijohet brenda 40 ditëve –

Qeveria e re në Serbi me shumë gjasa do të formohet brenda 40 ditëve të ardhshme, deklaroi sot presidenti serb, Aleksandar Vuçiç duke nënvizuar se ekzekutivi i ri do të jetë i fokusuar më së shumti në frontin ekonomik, në mbështetje të zhvillimit dhe rritjes.
Duke folur në një takim me sipërmarrës dhe biznesmenë në Dhomën Serbe të Tregtisë, Vuçiç tha se qeveria e ardhshme do të përbëhet nga njerëz shumë kompetentë që janë në gjendje t’i përgjigjen sfidave të shumta të këtyre kohërave.
Qeveria serbe ka qenë në krizë që nga dorëheqja e kryeministrit, Milosh Vuçeviç, në fund të muajit janar, nën presionin e lëvizjes studentore.
”Protestat po destabilizojnë situatën politike dhe ekonomike në Serbi për dy arsye: stabiliteti jo i plotë politik dhe një rënie e fluksit të investimeve të huaja, të cilat në 50 ditët e para të vitit 2025 ishin në nivelin më të ulët në gjashtë vitet e fundit”, deklaroi Vuçiç.
”Në të njëjtën kohë është thelbësore të rriten investimet, veçanërisht nga rajonet e Azisë dhe Lindjes së Largët – Kina, Koreja e Jugut, India – dhe zgjerimi i marrëveshjeve të tregtisë së lirë, siç është bërë tashmë me Kinën, Egjiptin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha ai.
#Qeveri #serbe #të #krijohet #brenda #ditëve
Java News