“Sëmundja e adoleshentëve”, ankth dhe stres artificial nga pijet energjike –

Ankthi dhe stresi tek të rinjtë dhe veçanërisht tek adoleshentët e deri tek nxënësit e shkollave është kthyer në një problematikë serioze në qytetin e Elbasanit por jo vetëm. Psikologët kanë konstatuar se këto simptoma mjaft të rrezikshme në adoleshencë po shkaktohen më së shumti nga konsumi i pijeve energjike në mënyrë të pakontrolluar.
Psikologia tregon për A2 CNN varësinë që krijohet nga pijet energjike dhe pasojat tek të rinjtë. “Shikohen të rinj të cilët konsumojnë pijet energjike, duke u bërë pre e një rrjeti shumë të madh problemesh që kjo shkakton”, thotë Sonila Jaupbashi. “Si fillim është ai efekti shumë i mirë i momentit, rritja e virilitetit, nuk je më i përgjumur, sepse ndihmon kafeina. Por kafeina ka një efekt afatgjatë shumë të dëmshëm, sepse rrit nivelin e kortizolit, që është hormoni i stresit. Ti si një adoleshent që është duke u rritur, pëson një transformim të jashtëzakonshëm që zgjat në kohë. Ankthi dhe stresi në këto momente janë shumë të rrezikshme për të rinjtë. Duke qenë se kafeina është një drogë e lehtë, e lejueshme, ka varësi të jashtëzakonshme”.
Rastet konkrete kanë treguar që moskonsumimi i pijeve energjike kanë kthyer në normalitet të rinjtë që kanë kërkuar ndihmë për gjendje të ankthit. Duke e parësi një problematikë serioze kombëtare, psikologia propozon marrjen e masave drastike për shitjen dhe reklamimin e pijeve energjike veçanërisht pranë shkollave.
“Duhet ndaluar, ashtu si ndalohet alkooli për të rinjtë e një moshe të caktuar. Duhet të ketë një frenim për bizneset, por edhe për mediat, që e trumbetojnë gjatë gjithë kohës”, thotë ajo.
Edukimi i adoleshentëve që të duan dhe të kujdesen për veten e tyre, shikohet nga psikologia si përpjekja e parë që duhet bërë për ti shmangur më pas veset dhe varësinë nga pijet energjike.
#Sëmundja #adoleshentëve #ankth #dhe #stres #artificial #nga #pijet #energjike
Java News