Të përfshirë në vjedhje dhe shitje droge, prangosen 6 persona në Durrës –

Një operacion për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe vjedhjeve është realizuar ditën e sotme në Durrës.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se në pranga kanë rënë gjashtë shtetas, dy prej të cilëve ishin të shpallur në kërkim.
Burime për A2 CNN bëjnë me dije se të arrestuarit në kuadër të operacionit “Cleaning 2” janë shtetasit Fabion Masha, Ahmet Isufi, Lulzim Rubjeka, Alin Gjuzi, Sentiljano Selami dhe Fation Xhezairi.
Po ashtu Policia bën të ditur se në cilësinë e provës materiale Policia ka gjetur dhe sekuestruar 60 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, doza kokaine, 1 peshore elektronike, 6 celularë dhe 94 shezglonë të vjedhur.
Njoftimi i Policisë:
Durrës/Finalizohet operacioni i koduar “Cleaning 2”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe në fushën e vjedhjes.
Vihen në pranga 6 shtetas të cilët në bashkëpunim ose individualisht ushtronin veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në doza dhe të vjedhjes. 2 nga këta shtetas ishin në kërkim për këto veprimtari kriminale.
Në momentin e kapjes në flagrancë, 3 prej këtyre shtetasve iu gjetën doza kokaine dhe kanabisi.
Procedohet penalisht pronari i një dyqani që iu kishte blerë këtyre shtetasve, shezlongët që kishin vjedhur, dhe shpallet në kërkim një 17-vjeçar, bashkëpunëtor për vjedhjen e shezlongëve, në një lokal.
Sekuestrohen doza kokaine dhe kanabisi, 1 pershore elektronike, 6 celularë dhe 94 shezglonë të vjedhur.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Cleaning 2”. Në kuadër të këtij operacioni, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
F. M., 27 vjeç, banues në Shijak, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Durrësit i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”;
A. I., 34 vjeç, banues në Shijak, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim;
-L. R., 46 vjeç, banues në Shijak, A. Gj., 38 vjeç, banues në Durrës, S. S., 21 vjeç, banues në Manzë dhe F. Xh., 40 vjeç, banues në Durrës;
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. Sh., 36 vjeç, banues në Kavajë, dhe u shpall në kërkim një shtetas 17 vjeç, banues në Durrës.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit F. M. dhe A. I., në bashkëpunim me shtetasit L. R., A. Gj. dhe 17-vjeçarin, në datat 15 dhe 18 shkurt, kanë vjedhur çadra plazhi dhe shezlongë në një lokal në Sektor Rinia, dhe më pas i kanë shitur në dyqanin e shtetasit E. Sh., në Kavajë.
Shtetasit F. M., gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesë, i janë gjetur dhe sekuestruar 46 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, disa doza të kësaj lënde dhe 1 peshore elektronike.
Shtetasit S. S., gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, që e posedonte me qëllim shitjen në afërsi të shkollave, ndërsa shtetasit F. Xh. iu gjetën doza kokaine dhe kanabisi që i posedonte me qëllim shitjen në lagjet e Durrësit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
60 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe doza të kësaj lënde, doza kokaine, 1 pershore elektronike, 6 celularë dhe 94 shezglonë të vjedhur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
#Të #përfshirë #në #vjedhje #dhe #shitje #droge #prangosen #persona #në #Durrës
Java News