Caktohet seanca në Apelin e Posaçëm për Vangjush Dakon
Gjykata e Posaçme e Apelit ka caktuar datën 18 korrik, ora 10:00 për zhvillimin e seancës ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.
Në Apel, Vangjush Dako kundërshton masën e sigurisë “arrest në burg” dhënë nga Shkalla e Parë.
Dy kallëzime penale ishin ato që vunë në lëvizje Prokurorinë e Posaçme Anti Korrupsion për ish-kreun e Bashkisë Durrës, hetime që u përmbyllën me arrestimin e tij dhe 9 personave të tjerë.
Në dosjen hetimore që çoi pas hekurave Dakon rezulton se ish-kryebashkiaku akuzohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve.
Kallëzimi i parë është bërë nga banorët e një pallati në lagjen numër 5, godinë e cila u bë e pabanueshme pas tërmetit të vitit 2019. Sipas banorëve, leja e ndërtimit ishte dhënë në kundërshtim me ligjin, pasi pallati përfundoi me 4 kate shtesë.
Kallëzimi i dytë është bërë nga ish-kreu i PD-së Durrës, Ferdinand Xhaferraj, sipas të cilit, Dako shpërdoroi fondet publike për një rrugë që u tenderua, por nuk u realizua. Padia e Xhaferrajt mbështetet edhe nga dy raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku për projektin e rrugës së Plazhit nga Bërryli deri në Currila, i është shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit në shumën 18 milionë lekë.
Sipas SPAK, Vangjush Dako, jo vetëm nuk ka marrë masa për Kontrollin e Komisionit të Llogaritjes së Fondit Limit, por ka miratuar dhe urdhrin e prokurimit me vlerën e propozuar nga ky komision, çka i është shkaktuar dëm shtetit në vlerën 18 milionë Lekë.
/a.r
#Caktohet #seanca #në #Apelin #Posaçëm #për #Vangjush #Dakon