Aktualitet

“Ibrahimi ndodhet në Turqi”/ Pyetet “plaku” i Licëve për masakrën në Dobraç, Mustafa: Hamzai e Arlindi ishin shokë, po shkonin Podgoricë

Një nga emrat më të njohur në Shkodër, i konsideruar si “Plaku” i fisit Lici, është marrë në pyetje dy ditë më parë nga policia kriminale e qytetit, i cili ka dhënë shpjegime lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në 30 Tetor, në zonën e Dobraçit, ku mbeti i vrarë Hamza Lici, Arlind Bushati dhe çifti i bashkëshortëve, Flutura dhe Bashkim Basha.

Pyetja e Mustafa Licit, është realizuar në ambientet e shtëpisë së tij në zonën e “Kirasit” të Shkodrës, pasi vetë Mustafa, nuk ka qenë në gjendje të shkojë në ambientet e policisë, për shkak edhe të ceremonisë mortore që kishte hapur në shtëpi, për vrasjen me dy plumba në trup, të të birit Hamza Lici.

Por menjëherë pas përfundimit të ceremonisë mortore, oficerë të policisë kriminale në Shkodër, kanë shkuar në banesën e tij, për ta intervistuar.

Mustafa Lici, ka dhënë shpjegime mbi atë çfarë dinte për ngjarjen duke treguar se djali i tij, Hamza Lici dhe Arlind Bushati, kanë qenë shokë të ngushtë dhe kjo miqësi mes tyre është trashëguar edhe për shkak të miqësisë që vetë Mustafa, ka me babain e Arlindit, Xhemal Bushatin.

Sipas dëshmisë së Licit, ditën e ngjarjes djali i tij dhe miku i familjes Arlind Bushati, janë nisur në drejtim të Malit të Zi, për të shkuar në Podgoricë.

Lici, ka treguar sapo kanë hyrë në Dobraç, “janë qëlluar nga një pritë e organizuar prej anëtarët e një grupi kriminal që janë të lidhur fort me qeverinë”.

Në rrëfimin e tij para oficerëve të policisë, Mustafa Lici, ka treguar se djali i tij Hamzai, nuk kishte asnjë precedent penal dhe u vra pa faj. Faji i vetëm i tij ishte se kishte vëlla Ibrahim Licin.

Sipas babait, Hamzai ishte një besimtar i devotshëm, që falte 5 vakte në ditë të fesë islame.

Policia mësohet se ka pyetur Mustafa Licin, lidhur me vendndodhjen e djalit tjetër, Ibrahim Lici, por Mustafa u ka treguar ndodhet se në Turqi.

Mustafa Licit, i është kërkuar nga policia nëse kishte dyshime mbi ndonjë person konkret se kush mund të ketë marrë pjesë në vrasjen e djalit të tij, të vogël në ngjarjen e 30 Tetorit, por ai ka shpjeguar se dyshime kishte shumë, por nuk ishte në gjendje në këtë fazë të tregonte emra konkretë.

Në pyetje mësohet të jetë marrë dhe babai i Arlindit, Xhemal Bushati, i cili ka treguar problemeve që ka pasur djali i tij me persona të cilët kanë dashur ta vrasin në fillim të muajit Tetor 2024, por askush nuk mori masa për parandalimin e kësaj ngjarje.

Pesë ditë nga kjo ngjarje e rëndë, policia e Shkodrës ka ngritur dyshime të forta se atentati është organizuar nga një grup kriminal i përbërë nga familja “Bajri” dhe “Bilali”.

Vrasja ka si motiv gjakmarrjen dhe përplasjen historike mes dy fiseve dhe familjes Lici në Shkodër. /Ora News

#Ibrahimi #ndodhet #në #Turqi #Pyetet #plaku #Licëve #për #masakrën #në #Dobraç #Mustafa #Hamzai #Arlindi #ishin #shokë #shkonin #Podgoricë
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button