Aktualitet

Mos ekzekutimi i pagave/ Ibrahimi i kërkon Qeverisë të reflektojë: Po ndëshkoni padrejtësisht Komunën e Vitisë

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka reaguar ndaj mos pagesës së pagave për një pjesë të zyrtarëve lokal të komunës së Vitisë.

Në një prononcim për Gazeta Blic, ai thotë se Komuna e Vitisë është ndëshkuar padrejtësisht nga Qeveria.

“Qeveria padrejtësisht ndëshkon komunën e Vitisë. Një pjesë e punonjësve të komunës së Vitisë mbesin pa paga për shkak të mos-përkrahjes buxhetore nga niveli qendror në mbulimin e shpenzimeve të kontratave kolektive të cilat janë të nënshkruara nga niveli qendror. Kontratat kolektive janë të nënshkruara nga niveli qendror e jo nga komunat”, thotë ai.

Ibrahimi shton se komunat ka vite që kërkojnë që qeveria të marrë përgjegjësinë financiare për mbulim të kostos së kontratave kolektive dhe kjo ka hasur në vesh të shurdhër.

“Ka disa vite që komunat kërkojnë nga niveli qendror ta marrë përgjegjësinë financiere për mbulimin e kostos së kontratave kolektive por kjo kërkesë po has në vesh të shurdhër. Ky problem është diskutuar disa herë edhe me KM Albin Kurti, me Ministrin Hekuran Murati me Ministren Nagavci edhe në komisionin e granteve ku komunat po mbi-votohen, por ky problem po vazhdon t’i dëmtoj komunat e Republikës së Kosovës. Niveli qendror nuk po ka gatishmëri për zgjidhjen e këtij problemi. Komunat këtë çështje e kanë adresuar edhe te institucionet e drejtësisë por nuk ka përgjigje”, thekson drejtori i AKK-së për Gazeta Blic.

Ibrahimi potencon se komunave po u merren mjete nga buxhetet komunale dhe po ndalen së zbatuari shumë projekte kapitale.

“Me dhjetëra miliona euro po i merren komunave padrejtësisht nga buxhetet komunale. Po ndalen së zbatuari shumë projekte kapitale që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve. Komunat ashtu edhe me buxhetet e tyre të pamjaftueshme po punojnë me dinamikë të shtuar vetëm e vetëm që të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve mirëpo, në vend që Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila nuk është në gjendje që t’i shpenzojë mjetet e veta për investime kapitale ku po i teprojnë me qindra miliona euro, t’i përkrah komunat, ajo shkon dhe ia ndalon pagat punonjësve komunal. Merrni mësim nga komunat për përgjegjshmëri ndaj qytetarit. Është me të drejtë kur shumica absolute e kryetarëve konstatojnë që komunat nuk janë duke u trajtuar me dinjitet dhe nuk po trajtohen ashtu siç e meritojnë”, vlerëson ai.

Po ashtu, ai thekson se shumica e kryetarëve të komunave ankohen për shpërndarje jo të barabartë të mjeteve financiare nga ministritë për komuna.

Ibrahimi i ka kërkuar Qeverisë që të reflektojë për komunën e Vitisë.

“Konstatim tjetër i shumicës së kryetarëve është që ka shpërndarje të pabarabartë të mjeteve financiere që vijnë nga ministritë e ndryshme për komuna. Deri kur do të penalizohen komunat për kontrata kolektive??!! Përkundër të gjitha këtyre bllokadave dhe mos-bashkëpunimit korrekt nga niveli qendror, komunat do punojnë në të mirë të qytetarit sepse atë e kanë mision. Qeveri, reflekto sepse edhe ata punonjës janë qytetar të Republikës së Kosovës edhe pse jetojnë në Viti”, deklaron Sazan Ibrahimi./Gazeta Blic/

“Pse veç Vitisë nuk ua ekzekutoi Qeveria paratë?” Zyrtarët publikë revoltohen!



#Mos #ekzekutimi #pagave #Ibrahimi #kërkon #Qeverisë #të #reflektojë #ndëshkoni #padrejtësisht #Komunën #Vitisë
gazetablic.com

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button