Berisha rikthehet pas 11 muajsh në Kuvend, votohet sot buxheti i vitit 2025

Kuvendi pritet të miratojë sot buxhetin e vitit 2025. Pasi ka kaluar shqyrtimin dhe diskutimet në të gjitha komisionet parlamentare, tashmë buxheti do të miratohet nen për nen dhe në tërësi në Kuvend.
Në seancën e sotme rikthehet pas gati një viti mungese për shkak të arrestit shtëpiak Sali Berisha, i cili buxhetin prej 8.2 mld eurosh e ka konsideruar si draftin e vjedhjeve të mëdha.
Rikthimi i Sali Berishës përkon me depozitimin e 34 amendamenteve të PD-së për buxhetin e vitit të ardhshëm, mes të cilave 2 mbajnë firmën e tij. Ndërkohë, 11 amendamente janë depozituar nga Partia e Lirisë, përmes së cilave kërkohet një shtesë në buxhet me rreth 45 miliardë lekë.
Një ditë më parë kreu i grupit të Partisë Socialiste Niko Peleshi u ka kërkuar deputetëve të jenë të pranishëm dhe aktiv në seancën e sotme ku do të diskutohet buxheti. Në porosinë që u dha deputetëve socialistë ishte vëmendja në amendamentet e PD-së për buxhetin.
Ndër amendamentet e propozuara nga PD përfshihet caktimi i minimumit jetik në 200 euro, rritja e pensioneve dhe deri te shtimi i fondeve për Onkologjikun etj. Ndërsa Partia e Lirisë ndalet tek pensionet, rritja pagave por dhe ndihmës ekonomike kryesisht.
Në parim buxheti me një vlerë prej 8.2 miliardë euro u votua në 19 dhjetor mes debateve dhe protestave me 75 vota pro, 40 kundër dhe asnjë abstenim.
/a.
#Berisha #rikthehet #pas #muajsh #në #Kuvend #votohet #sot #buxheti #vitit
Java News