Aktualitet

Mbi 67 milionë njerëz e shikuan debatin Trump – Harris

Debati i parë presidencial midis Zv.Presidentes amerikane, Kamala Harris dhe ish-Presidentit, Donald Trump, tërhoqi rreth 67.1 milionë shikues.

Sipas të dhënave të Neilsen, ky duel i organizuar nga ABC News dhe i transmetuar në 17 rrjete televizive ka tejkaluar lehtësisht shikueshmërinë 51 milionëshe në debatin e qershorit të organizuar nga CNN, midis Trump dhe Presidentit aktual, Joe Biden, përballje kjo që përfundimisht çoi në tërheqjen e këtij të fundit nga gara, njofton CNN.

Përballja 90-minutëshe e së martës mbrëma në Filadelfia, e moderuar nga spikerët e ABC News, David Muir dhe Linsey Davis, ishte e para që Harris dhe Trump u takuan ballë për ballë, duke rezultuar në një përplasje të madhe për abortin, imigracionin dhe zgjedhjet e vitit 2020.

CNN shkruan se interesi për kandidaten e re demokrate dhe mënyrën se si ajo do të dilte kundër ish-presidentit Trump, ndihmuan në rritjen e interesimit të publikut.

Megjithatë ky debat nuk ishte më i shikuari, krahasuar me atë të para katër vjetëve, kur ballafaqimin Trump-Biden, e ndoqën më shumë se 73 milionë njerëz, në të gjitha rrjetet televizive.

Rekordin e shikueshmërisë e zë përballja e parë e vitit 2016, ndërmjet demokrates Hillary Clinton dhe republikanit,Donald Trump, që u shikua nga 84 milionë persona.

ABC, e cila e organizoi debatin, tërhoqi më së shumti shikues të martën e 10 shtatorit, me më shumë se 19 milionë përcjellësish, e pasuar nga NBC me mbi10 milionë dhe Fox News që tejkaloi shifrën e 9 milionë ndjekësve, njofton CNN.

ABC bëri të ditur se ky ishte debati më i ndjekur në çdo rrjet të tyre, në të paktën 16 vjetët e fundit, kurse më shumë se 7 milionë shikime ndodhën në platformat e ndryshme të transmetimit në pronësi të Disney.



#Mbi #milionë #njerëz #shikuan #debatin #Trump #Harris
gazetablic.com

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button