Fluks në pikat e kalimit kufitar, mbi 7 mijë turistë kanë hyrë nga Porti i Durrësit në fundjavë

Në të gjitha pikat e kalimit kufitar në vend gjatë kësaj fundjave është shënuar fluks i qytetarëve që vijnë dhe largohen nga Shqipëria.
Nga të dhënat konfirmohet se sezoni veror në vend gjatë këtij viti do të jetë më i gjatë pasi edhe pse jemi në javën e fundit të gushtit numri i shtetasve që vijnë mbetet i lartë. Në portin e Durrësit një prej më të mëdhenjve në vend fundjava është shoqëruar me fluks të personave që hynë në vendin tonë. Rezultojnë se të premten dhe të shtunën kanë hyrë 7 mijë persona dhe 2500 mjete.
Po ashtu përgjatë kësaj fundjave janë larguar drejt porteve italiane mbi 10 mijë persona dhe 4 mijë automjete.
Këtë fundjavë ka filluar edhe largimi i emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Sipas policisë kufitare shqiptare vetëm gjatë kësaj fundjave kanë kaluar kufirin dalës në pikën e kalimit kufitar në Kapshticë rreth 8 mijë persona. Vetëm gjatë të shtunës, kanë kaluar në anën tjetër të kufirit 4500 persona.
Për të përballuar fluksin e madh dalës, në pikën e kalimit kufitar në Kapshticë, policia shqiptare po punon me 4 sportele në dalje dhe 3 në hyrje. Ndërkohë me kapacitet të plotë personeli dhe sportelesh punon dhe pala greke. Gjate 24 orëve të fundit në kufi nuk ka pasur pritje të gjata. Në ditët e ardhshme pritet qe fluksi personave në dalje të dyfishohet.
#Fluks #në #pikat #kalimit #kufitar #mbi #mijë #turistë #kanë #hyrë #nga #Porti #Durrësit #në #fundjavë
Java News