Lamtumira e modelit të Kosovës

Nga Ben Andoni
Po mbushet muaji i tretë, qysh kur u realizuan zgjedhjet në Kosovë, ndërsa vendi nuk ka konstituar ende strukturat, teksa një maratonë seancash nuk arrin të japë dot as emrin e kryetaritres të saj. Kandidatura e Albulena Haxhiut, sjellë nga Vetëvendosja dështon për të dhjetën herë rresht, ndërsa opozita e Kosovës është e bindur sesa herë që emri i saj do jetë si kandidaturë, po aq do të dështojë. Është kandidatura më jo përbashkuese në Kosovë me atë narracion që ka përdorur dhe mënyrën sesi është sjellë, referuar situatës në Kosovë. Z. Dehari, përkohësisht në krye të Kuvendit, si bashkë-kreu i saj, jo vetëm s’ka qenë në lartësinë e detyrës por edhe të tagrit të moshës, duke flirtuar me partinë e tij dhe duke e bërë edhe më të vështirë një proces, i cili është bajagi në ngërç. E para prej lumit negativ të fjalëve të kryetarit të Vetëvendosjes Kurti, pas zgjedhjeve dhe e dyta prej numrave të munguar të partisë fituese VV. Por, në këto kohë, kur Kosova mbart në kurriz masat shtrënguese evropiane (tejet paradoksale po të marrësh parasysh se Serbia, pala tjetër e dialogut, është shkaktarja e shumë problemeve dhe mbetet e pandëshkuar), ky nuk është më luks respekti procedurash, por detyrë urgjente zgjidhje.
Ligji për Qeverinë në Kosovë e ka të saktësuar pozicionin e qeveritarëve që zgjidhen si deputetë, të cilët ua lënë tagrin automatikisht zëvendësve të tyre, ashtu si për kryeministrin, posti kalon menjëherë tek zëvendëskryeministri i parë. Me pak fjalë, kjo siguron që vendi nuk mbetet pa qeveri, por edhe për pak ditë të kthjellon se nuk do ta marrësh përjetësisht poltronin me vete. Në këtë rast, amullinë e ka shtuar edhe bashkëkryesuesi i Kuvendit të Kosovës. “…Dehari e mori për vete rolin e interpretuesit suprem të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe, në vazhdim, e uzurpoi edhe atributin e gardianit të Kushtetutës”, cilëson konstitucionalisti Enver Hasani.
Patjetër që do të ketë zgjidhje në ditët në vazhdim: pazari dhe blerja e deputetëve është mundësia e parë; e dyta janë zgjedhjet e parakohshme, por asnjëra nuk e bën Kosovën më të qetë dhe më demokratike.
Sido që të ndodhi, Kosova humbi një nga atributet më të mëdha morale, të cilat i shpaloste edhe me mburrje para vendeve të tjera, për mënyrën e zgjedhjeve dhe demokracinë. Modeli i Kosovës tashmë me pak gjasë mund të përmendet si më parë (përveç pushtetarëve si Kurti apo bashkëpunëtorja e tij, Gërvalla, që la aq shumë për të dëshiruar si ministre), po do mbetet në manuale për mënyrën sesi respektohet shteti dhe ligjet e tij, nga vetë ata që i kanë hartuar. Në Shqipëri militantët pro Kurti do të arratisen në hapësira ku bjerrja e ligjit u jep mundësi të argumentojnë të pamundurën në favor të interesave të një shpure politike, e cila e drobiti kaq shumë Kosovën. Dhe, jo vetëm në këtë zgjatje tre mujore, por në narrativa, që do kërkojnë vite t’u kthehen arsyeve. (Javanews)
#Lamtumira #modelit #të #Kosovës
Java News