Çështja e Ahmetajt, çfarë përmban raporti i socialistëve në Këshillin për Imunitetin

Deputetët e mazhorancës, që janë anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin kanë përpiluar një raport rekomandues sa i takon çështjes së Arben Ahmetaj. Klan News ka zbardhur dokumentin parlamentar me 14 faqe.
Aty thuhet se deputeti Arben Ahmetaj nuk mund të arrestohet apo të ushtrohet kontroll në banesën e tij, pa autorizimin e Kuvendit. Për shkak të sekretit hetimor, ligji parashikon që edhe Kuvendi për këtë rast të zhvillojë seancën plenare me dyer të mbyllura, ashtu siç u zhvillua mbledhja e Këshillit të Mandateve. Vendimi me pas merret me votim të hapur.
Në Kuvend pritet të shqyrtohet apo diskutohet raporti që Këshilli i Mandateve i ka paraqitur kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, i cili në bazë të afateve duhet të përcillet brenda dy javëve nga përfundimi i çështjes.
Kujtojmë se ishte SPAK organi që më 10 Korrik të këtij viti depozitoi në Kuvend kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin dhe ushtrimin e kontrollit personal të banesës së deputetit Ahmetaj.
Avokatët e këtij të fundit e kanë kundërshtuar këtë kërkesë duke thënë se kjo masë është shumë e ashpër dhe pse nuk është dhënë më herët, duke ditur që hetimet për inceneratorët kanë mbi 3 vjet që kanë nisur.
“Pse kërkohet arrest/heqje lirie dhe pse pikërisht tani dhe jo më herët? Hetimet kanë mëse 3 vjet që kanë filluar, një pjesë e mirë e zyrtarëve të hetuar për të njëjtën çështje ndodhen në përfundim të procesit gjyqësor, provat tanimë janë mbledhur dhe nuk ka dhe as u demonstrua ndonjë fakt që të verë në rrezik marrjen ose të cenojë vërtetësinë e tyre. Zoti Ahmetaj priste me padurim përballjen me drejtësinë, u paraqit para prokurorëve me thirrjen e parë dhe pranoi të jepte shpjegime të hollësishme për të gjitha akuzat e tyre”, shkruhet në raport.
Edhe kërkesën për kontroll banese avokatët e cilësojnë pa asnjë sens juridik.
Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve u vendos që opozita dhe mazhoranca të dilnin me raporte të veçuara, kjo pasi secila palë kishte pretendime të ndryshme.
“Qëndrimet e opozitës përmbajnë konsiderata politike, nuk kujdesen të rspektojnë parimet e shtetit të së drejtës”, kanë deklaruar mazhoritarët.
Detyrë e Këshillit është të vlerësojë nëse kërkesa e organit të akuzës ndaj deputetit Z. Arben Ahmetaj, bazohet në kërkesat standarde që ka Kodi i Procedurës Penale në lidhje me një proces penal të rregullt, apo kërkesa e organit të akuzës është e motivuar apo ka sfond politik, apo është e motivuar nga shkaqe të tjera që nuk kanë lidhje me procesin e rregullt penal.
Më poshtë raporti i plotë i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin (i deputetëve të mazhorancës anëtarë të Këshillit):
#Çështja #Ahmetajt #çfarë #përmban #raporti #socialistëve #në #Këshillin #për #Imunitetin