Festa e Pashkës bashkon të krishterët shqiptarë, mesazhe nga kryepeshkopi Joan dhe imzot Gjergj Meta

Besimtarët e krishterë në mbarë vendin kremtojnë sot Pashkën, një nga festat më të rëndësishme të besimit të krishterë, që përkujton ngjalljen e Jezus Krishtit.
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joan Pelushi, në mesazhin e tij, tha se Pashka është e vërteta themelore e besimit dhe jetës. Ai theksoi se ngjallja e Krishtit sjell gëzim për të gjithë njerëzit, pasi simbolizon mundjen e vdekjes – armikut të përbashkët të njerëzimit.
Në mesazhin e tij, kryepeshkopi Joan përkujtoi edhe ndarjen nga jeta të kryepeshkopit Anastas, duke theksuar se ai tashmë ndërmjetëson për besimtarët pranë Zotit dhe se trashëgimia e tij shpirtërore vijon të jetojë.
“Le të falim njëri-tjetrin në çdo gjë, që të mund të thërrasim me një zemër të pastër: ‘Krishti u ringjall’. Gëzuar Pashkët për shumë vjet,” tha ai.
Urime për festën përcolli edhe Imzot Gjergj Meta, president i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, i cili vuri në dukje se këtë vit Pashka kremtohet njëkohësisht nga të gjithë të krishterët – katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë.
Ai e quajti këtë përkim një rast të bukur për unitet dhe gëzim të përbashkët, duke bërë thirrje që vetë njerëzit të jenë “Pashkë në jetën e tyre”, për të sjellë më shumë shpresë, drejtësi dhe dashuri në shoqëri.
#Festa #Pashkës #bashkon #të #krishterët #shqiptarë #mesazhe #nga #kryepeshkopi #Joan #dhe #imzot #Gjergj #Meta
Java News