Aktualitet

Mot i paqëndrueshëm gjatë fundjavës, reshjet e shiut përfshijnë të gjithë territorin e vendit

Moti i paqëndrueshëm do të vijojë të karakterizojë fundjavën në të gjithë territorin e vendit.

Paraditet dhe pasditet do të dominohen nga alternime mes vranësirave të dendura dhe periudhave të shkurtra me kthjellime, ndërkohë që reshjet e shiut do të jenë të pranishme në mënyrë të herëpashershme në pjesën më të madhe të qarqeve.

Depërtimi i masave ajrore të lagështa me origjinë perëndimore do të na shoqërojnë edhe gjatë fundjavës duke sjellë mot kryesisht të vranët, sidomos gjatë ditës së shtunë, si dhe reshje të herëpashershme shiu. Që në orët e para të mëngjesit, reshjet do të jenë prezente fillimisht gjatë Ultësirës Perëndimore dhe gradualisht në gjithë territorin me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar në formë shtrëngatash, ku hera-herës gjatë relieve malore, kryesisht në zonën lindore të vendit, do të shoqërohet me shkarkesa dhe breshër,” thotë nëntogerja Eneida Doçi nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.


E diela do të sjellë një panoramë të ngjashme meteorologjike, ku kushtet atmosferike do të mbeten të paqëndrueshme.

Reshjet e shiut do të vazhdojnë të shoqëruara me intervale të shkurtra kthjellimesh, ndërsa temperaturat pritet të qëndrojnë nën mesataren sezonale, duke mos e kaluar pragun e 20 gradëve Celsius.

Edhe për ditën e diel, moti do të vijojë të jetë i paqëndrueshëm. Fillimisht moti parashikohet me kthjellime dhe gradualisht me vranësira, të cilat do të shoqërohen me reshje lokale në pjesën më të madhe të territorit. Gjatë ditëve në vijim do të kemi sërish rritje në të dyja vlerat, rritje graduale dhe të ndjeshme,” shprehet nëntogerja Doçi.

Sa i përket fillimit të javës që vjen, ndryshimi do të jetë i ndjeshëm.

Duke nisur nga dita e martë, moti pritet të përmirësohet. Stabiliteti atmosferik do të rikthehet në pjesën më të madhe të vendit, duke sjellë kthjellime të zgjatura dhe rritje graduale të temperaturave, të cilat do të arrijnë deri në 27 gradë Celsius në disa zona.

Stylish GIF

#Mot #paqëndrueshëm #gjatë #fundjavës #reshjet #shiut #përfshijnë #të #gjithë #territorin #vendit
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button