Aktualitet

Shqiptarët, të parët në botë për aplikime për vizë britanike

Shqiptarët janë të parët në botë për aplikime për Vizë Britanike (me raport me popullsinë). Jemi në vendet e para edhe për marzh refuzim vize, Në vitin 2022 janë 25 688 qytetar të Republikës së Shqipërisë që kanë marrë vizë Britanike, ose 66 % e atyre që aplikuan. Në 10 aplikime për vizë vetëm 7 kanë sukses.

Shqiptarë “ia mbathin” që në mundësinë e parë që iu jepet, teksa vazhdon çdo ditë e më shumë të zbrazet. Një ndër shtetet që shqiptarët po dynden masivisht vitet e fundit është Mbretëria e Bashkuar, ku rrezikojnë edhe jetën duke u futur ilegalisht me kamion ose gomone, por pas mbërritjes në Britani, ata nisin procedurat për t’u pajisur me vizë.

Në vitin 2022 rezulton që kanë aplikuar për vizë në Mbretërinë e Bashkuar 36 760 shqiptarë, që përbën numrin më të lartë të të gjithë periudhës 2005-2022 të marrë në shqyrtim. 45.5% më shumë qytetarë shqiptarë kanë aplikuar në Mbretërinë e Bashkuar për vizë në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021.

Pas vitit 2014 tendenca vjen në rritje të vazhdueshme, përjashtuar vitin 2020. Për 18 vite (2005-2022) janë aprovuar viza nga Mbretëria e Bashkuar për 154 759 aplikantë shqiptarë.

Në vitin 2022 janë dhëne 25 688 viza për shqiptarët nga Republika e Shqipërisë, që është më shumë se çdo vit tjetër. Ndërkohë, 13 141 aplikantë kanë marrë përgjigje negative për vizë nga Mbretëria e Bashkuar dhe 148 persona janë tërhequr vetë nga aplikimi.

Norma e aprovimit ndër vite është luhatur midis intervalit 61-77% për shqiptarët. Për vitin 2022 norma e aprovimit të vizave nga Mbretëria e Bashkuar për shqiptarët është 66%, me rritje me 1 pikë përqindje nga viti i kaluar. Ecuria ndër vite tregon që 7 në 10 qytetarë shqiptarë që aplikojnë për vizë Britanike marrin përgjigje pozitive.

Në pesëvjeçarin 2018-2022, Mbretëria e Bashkuar ka aprovuar viza për 69 895 qytetarë shqiptarë. Refuzim vize gjatë kësaj periudhe u është bërë 33 389 qytetarëve shqiptarë, ndërkohë që 479 qytetarë kanë tërhequr aplikimin e tyre.

Duke mbledhur bashkë Aplikime të Aprovuara dhe Refuzuara për Vizë, rezulton që Shqipëria është vendi i 20-të në botë me numrin më të lartë të aplikimeve për viza në Mbretërinë e Bashkuar gjatë 2018-2022. Përsa i takon vetëm vizave të aprovuara, Shqipëria është e 21-ta në botë, për numrin më të lartë. Shqipëria është shteti i 10-të me numrin më të lartë të vizave të refuzuara nga Mbretëria e Bashkuar gjatë pesëvjeçarit 2018-2022.

India ka numrin më të lartë të vizave të Aprovuara dhe të Refuzuara.

Raporti Total Aprovime dhe Refuzime ndaj numrit të popullsisë së secilit vend, tregon që Shqipëria është kryesuese e aplikimeve për viza për frymë në Mbretërinë e Bashkuar, krahasuar me të gjitha vendet e tjera të botës. Shqiptarët që kanë aplikuar për viza në vitet 2018-2022 në Mbretërinë e Bashkuar përbëjnë 3.7% të popullsisë totale të Shqipërisë. Me raport më të ulët, Shqipëria ndiqet nga Bahreini (2.7% e popullsisë kanë aplikuar për vizë në MB), Shën Kitts dhe Nevis (2.2%). Kosova renditet e 7-a në botë (1.3 % e popullsisë kanë aplikuar për vizë në MB) përsa i takon raportit të Aplikim për Vizë në MB ndaj numrit të popullsisë.

Open Data Albania ka llogaritur normën e Aprovimit të Vizave nga Mbretëria e Bashkuar për periudhën 2018-2022 për të gjitha vendet e botës. Për të bërë analizën më përfaqësuese dhe për të mos u prekur nga problemi i rëndësisë statistikore, në shqyrtim për krahasim janë marrë vendet që kanë më shumë sesa 5 000 aplikime (Viza të aprovuara + të refuzuara). Në total janë 105 kombësi që kanë tejkaluar 5 000 aplikime për Vizë në Mbretërinë e Bashkuar në pesëvjeçarin 2018-2022.

Emiratet e Bashkuara Arabe, Hong Kongu, Kuvajti, dhe Katari janë 4 vendet me normën më të lartë të Aprovimit të Vizave nga MB-ja (99% e aplikimeve janë aprovime). Shqipëria renditet e 92-ta nga 105 vende përsa i takon normës së aprovimit të vizës nga MB-ja (67.7% Aprovime). Kjo nënkupton se qytetarët nga 91 vendet e tjera të botës kanë probabilitet më të lartë të marrin përgjigje pozitive nëse aplikojnë për vizë në MB, sesa shqiptarët.

Shqipëria ka normën më të ulët të aprovimit të Vizave në Britaninë e Madhe krahasuar me Rajonin gjatë pesëvjeçarit 2018-2022. Serbia ka normën më të lartë, me 95.9% të qytetarëve të saj që kanë aplikuar për vizë britanike, me aprovim të saj. Pason Mali i Zi me 95.3% përgjigje pozitive, ndjekur nga Bosnje & Hercegovina me 94.4% dhe Maqedonia e Veriut me 92.4%.

Dobët gjendet Kosova me 77% të aplikimeve të aprovuara dhe me diferencë e fundit vjen Shqipëria me vetëm 67.7% të aplikimeve me përgjigje pozitive.

Përsa i takon numrit të aplikimeve për vizë në MB, mbizotërojnë shqiptarët në Balkanin Perëndimor, me 87 912 aplkime në janar 2018-shtator 2022. Pason Serbia me 47 551 aplikime. Në fund renditet Mali i Zi me 4 873 aplikime.

Shqipëria ka normën e Aprovimit për Vizë (67.7%) nga Mbretëria e Bashkuar më të ulët sesa mesatarja e të gjitha shteteve të botës që është 85.5%. Norma e Aprovimit të vizave nga MB për të gjithë shtetasit e huaj luhatet nga 81.5% në vitin 2007 në 89% në 2017-ën.

Të dhënat për këtë artikull janë marrë nga Zyra e Statistikave Kombëtare në Mbretërinë e Bashkuar. Aplikimi për Vizë përfshin çdo aplikim vize që është bërë nga shtetasit e një shteti të caktuar, si psh. për bashkim familjar, për studime, për punë, për biznes, për vizitë, etj./Open Data Albania

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button