Skema Kombëtare, 7.200 aplikime në 24 orët e para, risi subvencionet dhe nafta për bujqësinë

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2025 ofron financim 100% për grupimet e fermerëve dhe Shoqëritë e Bashkëpunimit. Vetëm në 24 orët e para të hapjes së aplikimeve janë regjistruar plot 7200 kërkesa nga fermerët.
Afati i fundit për aplikim është data 30 maj duke i dhënë mundësi çdo fermeri të përfitojë nga kjo mbështetje.
Drejtoresha e AZHBR-së, Ardita Kuçi, tha se këtë vit janë shtuar disa risi që ndihmojnë më tej fermerët.
“Kemi pagesat për lopë-mëshqerra në vlerat 10 mijë lekë për krerë dhe kemi shtesë pagesta për krerë viça të matrikuluar në vlerën 5 mijë lekë për krerë. Kriteri minimal i përfitueshmërisë është 10 krerë për fermë apo për fermer, ndërkohë që mbi kriterin e 50 krerëve paguajmë dhe vlera reduktohet në 50% të vlerës së aplikuar përveç rasteve të grupimit të fermerëve”, theksoi Drejtoresha e AZHBR-së, Ardita Kuçi.
Fermat me më shumë se 50 krerë do të mbështeten me financim deri në 50% të kostove. Mbështetja përfshin edhe subvencionim të naftës, sipas llojit të kulturave bujqësore që punohen.
“Është ajo e prezantimit të masave mbrojtëse në ambiente të mbyllura. Të gjithë fermerët që përdorin kontrollin biologjik ndaj dëmtuesve në këto ambiente të mbyllura do të paguhen në 30 mijë lekë në dynym. Fermerët të aplikojnë nëpërmjet portalit e-Albania pa dokumente. Kemi në dispozicion zyrat rajonale, 20 agro pika në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu edhe zyrat rajonale të bujqësisë”, tha zonja Kuçi.
Aplikimi për të përfituar nga skema mbështetëse kryhet online në portalin e-Albania dhe i nënshtrohet kontrollit administrativ për verifikim.
Vitin e kaluar, mbi 52 mijë fermerë në të gjithë Shqipërinë përfituan nga kjo skemë.
#Skema #Kombëtare #aplikime #në #orët #para #risi #subvencionet #dhe #nafta #për #bujqësinë
Java News