Bardhi: Këlliçi duhet të jetë kandidat i PD dhe jo i Ilir Metës
Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” ku foli mbi situatën aktuale në selinë blu. Bardhi u shpreh se kandidatët demokratë në mënyrë që të fitojnë kanë nevojë për të gjitha votat e demokratëve. Ai shtoi se Belind Këlliçi, i cili është kandidati i grupimit të Berishës në zgjedhjet e 14 Majit në Tiranë, në mënyrë që të fitojë do duhet të jetë kandidat i demokratëve dhe jo i Partisë së Lirisë. Bardhi theksoi më tej se Këlliçi duhet të investohet më shumë për t’i bërë bashkë të gjithë demokratët në një kandidaturë të unifikuar.
Gazment Bardhi: Unë mendoj që kandidati, meqë po marrim Belindin, të cilin e kam koleg dhe i kërkoj ndjesë që po i përdor emrin, por po e përdor si shembull pozitivisht. Belindi për të fituar ka nevojë për votat e Sali Berishës, për votat e Enkelejd Alibeajt. Për votat e Ilir Metës. Pra ka nevojë për votën e çdo opozitari. Ne po themi ekzaktësisht këtë. Në qoftë se Belindi del dhe thotë, jo unë nuk kam nevojë për votat e demokratëve që nuk mendojnë njëlloj si Sali Berisha, por kam nevojë për votat e vetëm…
Blendi Fevziu: Jo, jo, ka nevojë për çdo votë, patjetër.
Gazment Bardhi: Atëherë nëse ka nevojë për çdo votë do duhet të investohet nëse ka hyrë për të fituar, pikë së pari që të jetë kandidat i demokratëve, jo kandidat i Partisë së Lirisë dhe së dyti do duhet të investohet për t’i bërë bashkë të gjithë demokratët në një kandidaturë të unifikuar.
Edhe më herët gjatë bisedës në studio, Bardhi përsëriti se kandidatët e PD nuk kanë pse strehohen në partitë e tjera ndërkohë që kanë në dispozicion partinë e tyre.
“A e kam zgjedhur unë Këlliçin si kandidat? Jo e ka zgjedhur zoti Berisha. Pretendimi i deritanishëm ka qenë që e kanë zgjedhur demokratët. Atëherë pse do duhet që zoti Këlliçi të strehohet nën partinë e Ilir Metës ndërkohë që ka në dispozicion partinë e tij”, u shpreh ai.