Aktualitet

Përpjekja qesharake e Berishës për t’u veshur si “marins” amerikan –

Nga Mero Baze

Sot në seancën e Kuvendit, Sali Berisha zaptoi foltoren dhe kërkoi një ligj për “de-soroizimin” e Shqipërisë, siç e quajti ai. Për ata që nuk e kuptojnë, është e ngjashme sikur të kishim bërë një ligj për de-komunistizimin dhe të mos lejonim sekretarët e Partisë së Punës të ishin në politikë.

Në këtë rast, nuk do të lejonim njerëz të financuar nga fondacioni Soros të hynin në politikë. Të tillë janë gjysma e kryesisë së Sali Berishës, këshilltari i shtypit dhe 90% e televizionit të djalit të tij.

Berisha nuk mërzitet pse duket qesharak tek ata që e dinë se çfarë budallallëku thotë. Ai do t’u flasë atyre që nuk kuptojnë dhe që e vetmja gjë që dinë deri më sot është se Sali Berisha është antiamerikan dhe i sanksionuar nga SHBA. Ai po u thotë atyre se tani është proamerikan, madje është i dërguari i tyre në Shqipëri për të luftuar armiqtë e SHBA, që deri dje sipas tij kanë qenë të infiltruar në Shqipëri.

Dhe nuk është i vetmi në Ballkan që po e bën këtë. Në Serbi, Aleksandër Vuçiq, sapo dëgjoi që USAID ka probleme me qeverinë e re në SHBA, bastisi katër zyra OJQ-sh që ishin financuar nga USAID, dhe me këtë rast lau hesapet me to, sepse me sa duket e kishin bezdisur në pushtet.

Berisha po bën pak a shumë të njëjtën gjë, si “kunetërit” e tij në Serbi. Po shfrytëzon ndryshimet në SHBA, të cilat janë çështje të brendshme amerikane, për të interpretuar historinë e tij mbi 20-vjeçare kundër SHBA.

Sali Berisha nuk është shpallur “non grata” më 2021 për shkak të ndonjë incidenti. Ai është përplasur me qeverinë e SHBA që prej vitit 1995, ka përkeqësuar raportet më 1996, dhe gati ka hyrë në luftë me ta në vitin 1997, siç pasqyrohet në të gjitha dokumentet e deklasifikuara të Departamentit të Shtetit për atë vit.

Më tej, atij iu hap një dosje e zezë në CIA në vitin 1998, pas dy sulmeve të Al Qaedës në ambasadat amerikane në Riad dhe Nairobi, pasi u zbulua se celula terroriste e Al Qaedës kishte pasur Shqipërinë në kohën e pushtetit të tij si një bazë logjistike. Një nga krerët e afërt me numrin 2 të Al Qaedës, konkretisht vëllai i tij, ishte pajisur me pasaportë shërbimi në Tiranë. I gjithë grupi terrorist i Al Qaedës që veproi në Bosnjë e kishte Shqipërinë si strehë të sigurt. Skandali u thellua kur doli që edhe sulmi në kullat binjake u kombinua mes të tjerash nga një prej ushtarëve të Al Qaedës në Tiranë, që ishte aty prej kohës së Berishës.

Rikthimi i Berishës në pushtet ia shtoi atij edhe dosjen e zezë të korrupsionit të familjes.

Lobistët e Berishës, që vinin lart e poshtë nga SHBA në Tiranë për biznese armësh, energjie dhe real estate, disa të koordinuar prej Damir Fazlliç, i krijuan Berishës sigurinë se ai dhe familja e tij mund të bënin ç’të donin me pushtetin që kishin rimarrë. Por në fakt, ata i bënë edhe më keq: i hapën gropën, duke e furnizuar SHBA-në me aferat e familjes Berisha, me sekserllëqet ligjore të vajzës dhe horrlëqet e djalit të tij, që keqpërdori edhe kompani amerikane, kur varrosi të gjallë 26 vetë në Gërdec, apo me fiksimin kriminal të Berishës për të vrarë katër qytetarë të pafajshëm dhe të paarmatosur më 21 Janar.

Berisha është sanksionuar si një minues i demokracisë dhe aty kihet parasysh zgjedhjet e 26 Majit 1996 dhe trazirat e vitit 1997. Gjithashtu, ai është shantazhues i sistemit gjyqësor, dhe këtu kihet parasysh beteja e tij kundër drejtësisë për të mos i prekur djalin në Gërdec dhe veten pas ngjarjes së 21 Janarit. Ai është gjithashtu përfitues nga korrupsioni madhor, duke pasur parasysh gjithë veprimtarinë e tij në pushtetin e parë dhe të dytë.

Në maj të vitit 2021 ai thjesht u shpall “non grata” pasi u pa se po këmbëngulte të diktonte kursin politik të PD në funksion të halleve të tij familjare.

#Përpjekja #qesharake #Berishës #për #veshur #marins #amerikan
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button