Zgjidhet ngërçi në Universitetin e Tiranës, rihapen doktoraturat pas 10 vitesh –

Doktoraturat prej 3 vitesh janë rihapur në institucionet e arsimit të lartë pas bllokimit gati prej 1 dekade të këtij cikli të tretë studimesh për shkak të dhënies së titujve doktor shkencash pa kufi. Që prej 2022 janë 528 të regjistruar pranë Universitetit të Tiranës që duan të thellohen në kërkimin shkencor në kohëzgjatje studimi nga 3 deri në 5 vite.
Çlirim Duro, drejtor i kurrikulave dhe sigurisë së cilësisë, UT thotë: “Ne kemi për secilin Fakultet një program doktorature. Për shembull në drejtësi kemi 3 nënfusha të drejtë civile, penale dhe publike. Te ekonomiku kemi shkenca ekonomike dhe 8 nënfusha. Kjo është mënyra si operuam me hapjen e doktoratave. Në vitin e parë kemi patur 226 studentë, në vitin akademik 2022-2023 kemi pasur 152, në 2023-2024 kemi 150 studentë”.
Prej ngërçit të mëparshëm prej manisë së marrjes së titujve akademikë, kriteret janë forcuar dhe janë kufizuar kapacitetet e pranimit të studentëve doktorantë.
“Profesori më parë mund të kishte 10-11 deri mbi 20 në udhëheqje. Ligji aktual përcakton se një profesor merr deri në 3 udhëheqje, 1 profesor i asociuar merr deri në dy udhëheqje. Dhe pa mbyllur këto punime s’mund të marrësh tjetër. Si dhe ne në UT kemi parashikuar një element që kur ka mundësi profesori të punojë vetëm me 1 në vit. Nëse dikur profesori kishte shumë dhe ishte e pamundur të menaxhonte , tashmë kërkojmë cilësi. Se në fund doktorata është e kandidatit por njëkohësisht dhe përgjegjësi e madhe e atij që e udhëheq”, shton Duro.
Rezultatet e aplikantëve nuk janë i vetmi kriter përzgjedhës, por rëndësi ka edhe tematika e punës kërkimore.
“Ka dhe një mendësi: ‘Unë aplikoj, kam notë mesatare pse nuk fitoj?!’ Ky është vetëm një komponent. Fokusi që ka departamenti janë fushat e caktuara: psh Bashkimi Europian, kërkesa e Shqipërisë për hapjen e kapitujve. Pra duhen parë doktoratura që ti vlejnë edhe tregut. Kemi kuptuar që doktoratura nuk është më çështje si më parë individuale, por është kërkim shkencor që i shërben shoqërisë!”, tha ai.
#Zgjidhet #ngërçi #në #Universitetin #Tiranës #rihapen #doktoraturat #pas #vitesh
Java News