Aktualitet

Argumentat pro dhe kundër marrëveshjes SHBA-Ukrainë për mineralet, flasin ekspertët –

Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara pritet të nënshkruajnë një marrëveshje për mineralet e rralla, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve ekonomike midis dy vendeve.

Megjithatë, ekspertët e sigurisë i thonë Zërit të Amerikës se marrëveshja ka ngjallur shqetësime për implikimet e mundshme më të gjera të saj, përcjell A2.

Kabineti qeveritar i Ukrainës miratoi marrëveshjen të mërkurën dhe Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se udhëheqësi ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë të premten për ta nënshkruar atë.

Marrëveshja përfshin dispozita për bashkëpronësinë dhe menaxhimin e një fondi rindërtimi të pasluftës për Ukrainën, tek i cili Ukraina do të derdhë 50% të të ardhurave nga burimet natyrore të vendit.

Marrëveshja parashikon që SHBA të ketë një “angazhim financiar afatgjatë për zhvillimin e një Ukraine të qëndrueshme dhe ekonomikisht të begatë”.

Por ajo nuk u referohet drejtpërdrejt përpjekjeve për t’i dhënë fund agresionit rus të Ukrainës dhe as nuk përmend marrëveshje të ardhshme të sigurisë për vendin e Evropës Lindore, përveçse në një rast: “Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbështet përpjekjet e Ukrainës për të marrë garancitë e nevojshme të sigurisë për të vendosur një paqe të qëndrueshme”.

Ndërsa marrëveshja synon të zhbllokojë pasuritë minerale të Ukrainës dhe të forcojë rimëkëmbjen e saj ekonomike, ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se ajo mund të mos arrijë t’u përgjigjet sfidave të vazhdueshme të sigurisë të Ukrainës në mes të agresionit të vazhdueshëm rus.

Perspektiva e biznesit amerikan

Andy Hunder, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Ukrainë, shpjegon për Zërin e Amerikës se marrëveshja synon të krijojë një fond të ri amerikano-ukrainas, duke u fokusuar tek ndërmarrjet shtetërore dhe burimet e pasura nëntokësore të Ukrainës, përfshirë gazin, naftën dhe mineralet kritike.

Zoti Hunder shpreh optimizëm për ndikimin e mundshëm që mund të ketë marrëveshja: “Ne jemi të entusiazmuar. Menaxherët profesionistë të fondeve mund t’i bëjnë shumë shpejt fitimprurëse këto sipërmarrje. Është diçka e favorshme për taksapaguesit ukrainas dhe amerikanë,” i tha ai Zërit të Amerikës të mërkurën.

Zoti Hunder shtoi se fondi mund të zhbllokojë fitime me shpejtësi me një menaxhim profesional të ndërmarrjeve shtetërore të Ukrainës, të cilat aktualisht përballen me problemet e keqmenaxhimit.

“Ukraina ka numrin e dytë më të madh të ndërmarrjeve shtetërore në botë, shumë prej të cilave menaxhohen, madje disa po keqmenaxhohen nga shteti ukrainas. Prs, mendoj se nëse fusim menaxherë të rinj profesionistë të fondeve në këto subjekte dhe kështu mund të sigurojmë fitime me shpejtësi”, tha ai.

Zoti tha se diskutimet rreth potencialit ekonomik të Ukrainës ishin në rendin e ditës mes dy vendeve në vitin 2024, “duke filluar që kur Senatori Lindsey Graham erdhi në mars dhe maj të vitit 2024, dhe ne e kemi shqyrtuar këtë temë dhe shohim potencial”.

“Për të përfituar nga kjo mundësi, lufta duhet të përfundojë dhe kjo marrëveshje, është një hap drejt një zgjidhjeje paqësore. Mendoj se këtu po fokusohet administrata e re nën Presidentin Trump – tek gjetja e mënyrave për të ndaluar vrasjen e ukrainasve nga rusët. Ne presim një armëpushim këtë vit, në vitin 2025, dhe kjo është koha kur Ukraina do të përbëjë mundësinë më të madhe për një rimëkëmbje vendi që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Roman Opimakh, ish-drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Gjeologjik të Ukrainës bie dakord se nga marrëveshja mund të përfitojnë të dyja vendet: Do të ndihmojë SHBA-në të diversifikojë furnizimin e saj me metale të rralla dhe të “ulë varësinë nga Kina”, thotë ai.

Për Ukrainën, shpjegon zoti Opimakh, marrëveshja mund t’i hapë rrugën ri-industrializimit të pasluftës dhe rritjes ekonomike. “Ne mund të ripërtërijmë potencialin industrial të vendit tonë dhe ta rrisim rolin e Ukrainës globalisht”, tha zoti Opimakh në një intervistë telefonike.

Megjithëse marrëveshja demonstron një interes të madh të SHBA-së për të ardhmen ekonomike të Ukrainës, ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se ajo nuk është një zgjidhje gjithëpërfshirëse për sfidat e sigurisë të Ukrainës. I

Ish-ministri i mbrojtjes Andriy Zagorodnyuk, aktualisht kryetar i Qendrës për Strategjitë e Mbrojtjes në Ukrainë, i tha Zërit të Amerikës në një intervistë telefonike se marrëveshja ka implikime më të gjera:

“Shtetet e Bashkuara e paraqitën këtë marrëveshje si një demonstrim të interesit në Ukrainë, duke sinjalizuar mbështetje për stabilitetin e Ukrainës. Investime të këtyre përmasave shërbejnë si bazë për të tërhequr më shumë burime për ekonominë e Ukrainës.”

Zoti Zagorodnyuk paralajmëroi se lidhjet ekonomike “nuk janë të mjaftueshme” për të garantuar sovranitetin e Ukrainës përballë agresionit rus. Për të parandaluar sulmet e ardhshme, Ukraina ka nevojë për fuqi ushtarake – qoftë të vetën ose në partneritet me NATO-n dhe aleatët evropianë, tha ai për Zërin e Amerikës.

“Ne e kuptojmë se Rusia mund të përpiqet të manipulojë situatën dhe t’i përcjellë mesazhin administratës së zotit Trump se edhe nëse vazhdojnë agresionin për ndonjë arsye, ata do të vazhdojnë të respektojnë interesat amerikane, ose diçka të ngjashme,” tha ai.

I pyetur nga Zëri i Amerikës se çfarë i nevojitet Ukrainës nga SHBA-ja për sigurinë afatgjatë, zoti Zagorodnyuk tha se në një situatë ideale, vendi do të bëhej pjesë e NATO-s Megjithatë, “nëse NATO nuk është një opsion, duhet të ketë një paketë që i mundëson Ukrainës të mbrohet kundër agresionit. Kjo paketë duhet të jetë e fuqishme dhe kjo duhet të jetë e qartë për [Presidentin rus Vladimir] Putin”, tha ai.

Detajet e marrëveshjes

Sipas burimeve të Zërit të Amerikës, emrat e të cilëve nuk mund të përmenden sepse nuk janë të autorizuar të flasin për këtë çështje, negociatat në lidhje me detajet e marrëveshjes vazhduan deri në mbledhjen e kabinetit të mërkurën vonë pasdite, me orën e Kievit.

Sipas njoftimeve të mediave, Ukraina negocioi kushte më të favorshme nga ç’kishte propozuar SHBA-ja fillimisht, duke e ulur kërkesën fillestare të SHBA-së për 500 miliardë dollarë mbi burimet e saj natyrore.

Marrëveshja nuk përfshin garanci të qarta sigurie nga ana e Shteteve të Bashkuar, të cilat Kievi i kishte kërkuar fillimisht. SHBA do të ketë autoritetin vendimmarrës brenda fondit sipas kuadrit të vet ligjor, ndërsa kushtet e pronësisë do të përcaktohen në marrëveshjet e mëvonshme.

Konsideratat gjeopolitike

Pavarësisht se e vlerësoi marrëveshjen si një hap drejt forcimit të ekonomisë së Ukrainës, Presidenti Trump shkaktoi polemika kohët e fundit kur e karakterizoi zotin Zelensky si një “diktator i pazgjedhur” dhe i bëri presion që ta finalizonte me shpejtësi marrëveshjen. Administrata amerikane e ka paraqitur marrëveshjen si një mënyrë që SHBA të rikuperojë dhjetëra miliarda dollarë në ndihmë ushtarake dërguar Ukrainës.

Por nuk është ende e qartë nëse ky partneritet ekonomik mund të nxisë paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Ukrainë./ Zëri i Amerikës

#Argumentat #pro #dhe #kundër #marrëveshjes #SHBAUkrainë #për #mineralet #flasin #ekspertët
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button