“Arrestoi tre liderët e opozitës”, Berisha ankohet në PPE: Rama ia hoqi mandatin Belerit sepse…

Sali Berisha në fjalimin që mbajti sot në Kongresin e Partive Popullore Europiane, që u zhvillua në Spanjë, mori në mbrojtje eurodeputetin grek Fredi Beleri, duke konfirmuar aleancën më të fundit politike me forcën që ish-kryebashkiaku përfaqëson në Himarë, linjën politike që ka ndjekur deri në akte antishqiptare dhe si i dyshuar në masakrën e Peshkëpisë më 1994.
Teksa akuzoi gjendjen e mjerueshme të Shqipërisë, ku sipas tij e ka zhytur kryeministri Edi Rama, Berisha zgjodhi t’i kushtonte vëmendje edhe “grabitjes së mandatit” të kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri.
Dhe qëllimi i Ramës, nënvizoi ai, ishte se Beleri s’i jepte tokat e të parëve në Himarë.
“Si Zayed i Tunizisë, në vit elektoral, ai zgjodhi të arrestojë tre liderë të partive kryesore të opozitës, vetëm sepse ishin kundërshtarë politikë – dhe pa asnjë, asnjë, asnjë provë kriminale. Ai u mori mandatin drejtuesve të opozitës. U mori mandatin kryetarëve të bashkive të opozitës, siç është rasti i Fredi Belerit, i cili sot është eurodeputet, sepse arsyeja e vetme ishte që Beleri nuk pranoi t’i jepte tokën që nuk i përket familjes Rama”, tha Berisha mes të tjerash.
Berisha hodhi edhe akuza për fushatën zgjedhore të 11 majit, duke thënë se Rama po bln vota nëpërmjet “asfaltit elektoral” apo me shpërblime financiare nga buxheti.
“Vota e blerë nga mafia, një makineri e plotë që ka vjedhur zgjedhjet dhe që është parë nga të gjithë. Ky narkodiktator është i lidhur me grupet e tjera kriminale. Më 11 maj do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Në këto zgjedhje, përveç të gjitha atyre që përmenda më sipër, ai ka bllokuar debatet televizive, ka shpërndarë 100 euro si dhuratë për vota për 800,000 pensionistë, dhe ka dhënë 100 licenca për kultivim kanabisi me moton “Kanabis për Vota”. Ai e ka kthyer narkoshtetin e tij në një makineri zgjedhore”, tha ai.
Berisha kërkoi dhe ndihmë nga PPE, për të rrëzuar “diktaturën e Ramës”.
“Me ndihmën tuaj, miq të dashur, ju siguroj se Partia Demokratike e Shqipërisë, e cila përmbysi 32 vite më parë diktaturën më staliniste në Europë, do të përmbysë edhe diktaturën e parë dhe të vetme narkotike në Europë, atë të Edi Ramës”, tha ai.
#Arrestoi #tre #liderët #opozitës #Berisha #ankohet #në #PPE #Rama #hoqi #mandatin #Belerit #sepse
Java News