Aktualitet

Katër diga të mëdha në vend, kontroll shtetëror pas vendimit të Komitetit

Katër diga të mëdha të vëna në shfrytëzim 10 vitet e fundit do të jenë objekt i kontrollit shtetëror sipas një vendimi të Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha.

Ky kontroll në vetvete nuk ka asnjë arsye specifike lidhur me projektet por zbatimin rutinor të kuadrit ligjor. Konkretisht në fokus të procedurës do të jenë digat e mëdha të HEC Banjë, HEC Fangut, HEC Lumzi dhe HEC Murdhar. Pjesë e kontrollit do të jenë një sërë institucionesh ku përveç komitetit të digave edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës.

Në fund të kontrollit sipas vendimit do të dorëzohet një raport i detajuar pranë të treja institucioneve. Në 10 vitet e fundit në vend janë zbatuar një sërë projektesh energjetike ku kontratat koncesionare që parashikojnë ndërtimin e hidrocentraleve kanë avancuar. Investimet më të mëdha janë bërë në rrjedhën e lumit Devoll por edhe në atë Mat ku janë vendosur disa prej digave më të mëdha në vend dhe HEC-e me kapacitet domethënës të instaluar.

Sipas Regjistrit Kombëtar të Digave të Mëdha të hartuar dhe aprovuar nga Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha (KKDM), në vendin tonë aktualisht janë 351 diga të mëdha të përcaktuara sipas Ligjit Nr.8681, datë 02.11.2000 “Për projektimin, ndërtimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e digave dhe dambave”, i përditësuar në datë 14.02.2003.

Komiteti Kombëtar i Digave në një përmbledhje të vitit 2022 jep detajet mbi digat në Shqipëri ku rezulton se 24 diga të mëdha përdoren për prodhim energjie ujore, 325 diga të mëdha përdoren për ujitje (rezervuarët e 130 prej tyre përdoren edhe për peshkim), dhe 2 diga të mëdha përdoren për furnizim me ujë të pijshëm.

“Në Shqipëri aktualisht janë 10 diga shumë të mëdha me lartësi mbi 60 m dhe 3 Kaskada kryesore të ndërtuara në lumenjtë Drin, Devoll dhe Mat të cilat përdoren kryesisht për prodhim hidroenergjie si dhe për peshkim, ujitje, mbrojtje nga përmbytjet dhe vende turistike natyrore” thuhet në këtë raport vlerësimi.

I njëjti raport nënvizon se deri më sot, “në Shqipëri janë ndërtuar afro 652 diga të mëdha dhe të vogla dhe se sipas Regjistrit të ICOLD(Komisioni Ndërkombëtar i Digave të Mëdha), Shqipëria është në vendin e 19 në botë për numrin e përgjithshëm të digave të mëdha dhe renditet në vendin e parë në Europë për numrin e digave të mëdha për km2 si dhe për numrin e digave të mëdha për 1 milion banorë”.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button