Konferenca e fundit si kryetar opozite? Berisha i jep përgjigjen e prerë gazetarit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një konferencë për mediat këtë të premte. I pyetur nëse kjo do jetë konferenca e tij e fundit si kryetar opozite, Berisha e pohoi diçka të tillë, por duke theksuar se pas votimeve, PD-ja do të kthehet në mazhorancë.
“Mendoj se e keni të drejtë. Kjo do jetë konferenca ime e fundit si kryetar opozite, pasi pas datës 12 Maj, kjo opozitë bëhet mazhorancë e Shqipërisë. E keni ndjerë dhe ju dhe çdo shqiptar. Kjo është ndjesia më reale, por në mënyrën më të frikshme e ka ndjerë Edi Rama. E patë si shkallmoi mbrëmë në televizion. U shkallmua. Fliste për gijotina, fliste për helme. Çfarë nuk fliste. Domethënë, ai mbrëmë kishte nevojë urgjente për mjekim me ato simptoma që pashë. Unë jam kardiolog, por më tërhiqte dhe psikiatria”, u shpreh Berisha.
Sa i përket, drejtuesit të fushatës të tij, amerikanit Chris LaCivita, Berisha tha se nga ajo që ka parë, ai “është faktor madhor i kësaj fushate fantastike dhe i fitores së 11 Majit”.
Berisha theksoi se fushata u karakterizua nga “një uragan që buroi nga zemrat dhe shpirti i popullit opozitar”.
Një mesazh e pati dhe për diasporën shqiptare.
“Ka qenë shpirti i kësaj fushate elektorale, thirrja ime është, cilido prej tyre që mund të vijë të votojë me datën 11 Maj, i bën një shërbim historik vendit dhe kombit të tij. 11 Maji është dita përcaktuese e të ardhmes së kombit shqiptar. Qindra mijëra emigrantë u regjistruan për të votuar, por një çrregullim i organizuar u konstatua në dy vende, me postën e cila ka një emër autoritar, të mirë, por që shfaqi parregullsitë më të mëdha. Uroj dhe shpresoj të mos dekurajojë, por të nxisë çdo qytetar shqiptar jashtë vendit që mund të vijë dhe të votojë ditën e diel në qendrat e votimit, do ishte shërbim i jashtëzakonshëm”, u shpreh Berisha.
#Konferenca #fundit #kryetar #opozite #Berisha #jep #përgjigjen #prerë #gazetarit
Java News