Nga Cikllopi te Frojdi: Jetët paralele të paneleve në netët e sondazheve

Nga Ylli Pata
Jemi në vitin 2025. Plot 4 vjet nga maji i vitit 2021, kur Sali Berisha u shpall Non Grata nga Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për “korrupsion madhor, pengim të drejtësisë dhe minim të demokracisë”.
Një vendim që jo vetëm është në fuqi, por edhe sikur të mos ishte më, ajo vulë e thatë amerikane e ka bërë të vetën, ngaqë është një lloj “fermani perandorak” i kohërave moderne.
Rruga e vetme për të hyrë në histori pas vendimesh të tilla, siç e kemi parë në historinë tonë, ka qenë për t’i treguar gjoksin Perandorisë. E kanë bërë shumë; që nga Skënderbeu, te Ali Pasha e Bushatliu i Shkodrës.
Edhe pse vulat perandorake mbeten në pergamenën e ngjyer me bitum me unazën e Sulltanit, kënga u këndohet edhe sot e kësaj dite atyre që sfiduan më të fuqishmin e asaj kohe në të gjithë botën. Koha, është analistja më e mirë e çdo zhvillimi politik, ushtarak apo social në historinë e njerëzimit. Sulltanët otomanë, sado që shikohen herë pas herë në telenovelat e importuara në televizionet tona, në këngët dhe ritet popullore, figurat historike që sfiduan perandorinë më të fortë të kohës, janë sot e kësaj dite referenca të kujtesës së brezave.
Këtë përpjekje nisi edhe Sali Berisha; pagoi një avokat në Francë që të nisë një gjyq me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, që i solli fermanin e sikterit politik për allishverish e adalet. Por e la pasdore, u merzit shpejt. Zgjodhi rrugën e paneleve të darkës që t’i tregonte qejfin Amerikës, Blinkenit dhe Joe Bidenit.
Paralel me këtë nismë bombastike që krijoi një precedent në jurispudencën botërore, kur u shpall në sallën e Rognerit në një ditë fundmaji, panelet gjalluan. Gjalluan jo me histori mbi arsyet e vendimit të SHBA, po edhe kush janë politikanët që zakonisht e marrin këtë njollë nga Perandoria aleate strategjike e jona.
Studiot u mbushën plot me histori të lashta, krejt të lashta që nga antikiteti grek, duke sjellë mitet e Kronosit që hante birin e vet, për ta ilustruar Sali Berishën përpara betejës me Lulzim Bashën. i cili në shtator e largoi nga grupi parlamentar i PD-së.
Katër vjet me përralla me kronos dhe cikllopë, ndërkohë që opozita humbi zgjedhje pas zgjedhjesh, deri edhe bastionet historike si Shkodra. Fajin për humbjen e Shkodrës e kishin Bajrat e Dobraçit sipas panelistëve që përsërisnin doktorin, edhe pse Benet Beci më shumë vota ka marrë në Sarreq, Gjuhadol, Arrë të Madhe, Zdrale, Ndocaj, madje edhe Kiras. Po nejse, panelistët, Shkodrën e njohin vetëm nga rivaliteti i dy personazheve të romanit kriminal, e diskutojnë serbes-serbes pak metra nga galeria e vjetër e minierës së qymyrit të Mëzezit, ku ndodhet edhe studioja e famshme.
Gjithsesi mbrëmë ishte një event që ju dha publicitet të madh, gjithë bujë. Pasi njeriu që kishte parashikuar fitoren e Donald Trumpit, do të paraqiste sondazhet e tij, të cilat priteshin të ishin një muzikë në veshin e përkrahësve të opozitës, të cilët nuk i besojnë sondazhet e europianëve në televizionet e tjera.
Por çfarë ndodhi? Sondazhisti i Trump, dha shifra edhe më të frikshme sesa europianët, çka e trazoi pak gjendjen në pllakat tektonike të Mëzezit. E në vend të analizës, apo shpjegimit të atyre të dhënave, nisi tjerrja e subkoshiencës frojdiste që ka shtyrë njerëzit të jepnin atë gjykim.
Njëri thoshte, “populli do cirk dhe bukë”, domethënë jo libra, teatro, opera apo balet. Dikush tjetër tentoi ta zhdramatizojë, duke thënë se njerëzit janë të tërhequr nga nuditeti, jo më kot sitet më të para janë ato plus 18(se ku e ka parë këtë të dhënë, neje). Ndërsa për një tjetër situata është dramatike dhe ka dy rrugë; ose populli nuk kupton, ose është nën diktaturë.
Sondazhisti i Trump, u shashtis duke ndjekur live me stoicizëm nga Nju Jorku, frame për frame imazhet që i vinin nga “Mëzezi Center” dhe nuk po kuptonte fare. Edhe pse e kishin paguar si frëngu pulën sondazhin e njeriut të Trump, as nuk ja vari njeri shifrave dhe gjetjeve të gjithë asaj punë. Por u kthyen tek Frojdi, që duket është gjetur si temë pas 4 vjetësh…
#Nga #Cikllopi #Frojdi #Jetët #paralele #të #paneleve #në #netët #sondazheve
Java News